Shala ka takuar ambasadorët Viets e Brieger

Kosova

Shala ka takuar ambasadorët Viets e Brieger

Më: 29 janar 2015 Në ora: 16:51

Zëvendëskryeministri Kujtim Shala ka pritur në takime të ndara, sot, ambasadoren e Gjermanisë në Kosovës, Angelika Viets dhe ambasadorin e Austrisë, Johann Brieger, me të cilët mes tjerash ka diskutuar për bashkëpunimin mes Kosovës e Gjermanisë, përkatësisht Austrisë.

Kujtim Shala, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka falënderuar ambasadoren gjermane Viets, dhe, përmes saj, qeverinë dhe popullin gjerman për ndihmën e vazhdueshme që kanë dhënë për Kosovën në çdo sferë, posaçërisht në fushat që mbulon MKRS-ja.

Ministri Shala theksoi se Gjermania është prej shteteve partnere e mike të Kosovës dhe përmendi përkrahjen që Ambasada e Gjermanisë ka dhënë në projekte konkrete në çdo segment në vendin tonë por edhe në fushat e kulturës, trashëgimisë, rinisë e sportit. Gjithashtu, ministri e vlerësoi pjesëmarrjen e Kosovës në Festivalin e Filmit “Berlinale”, ku vendi ynë për herë të parë do jetë konkurrent me filmin “Burrneshat”, bashkëproduksion i shtetit tonë me atë të Italisë.

Po ashtu, ministri Shala ritheksoi faktin se mbetet i përkushtuar të punojë që bashkëpunimi mes dy vendeve të thellohet dhe përkrahja e shtetit gjermane të rritet në të ardhmen.

Ndërkaq, ambasadorja Viets, uroi zëvendëskryeministrin Shala për detyrën e re. Ajo i dëshiroi ministrit mbarëvajtje dhe arritje në punën që do bëjë në të ardhmen. Viets u shpreh se Gjermania do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës edhe në të ardhmen. Ajo potencoi se mbështetja e ambasadës në projekte konkrete do të vazhdojë edhe më tutje, me theks në sferën e rinisë e të sportit.

Ndërsa, në takimin me ambasadorin e Austrisë, Brieger, zëvendëskryeministri Shala, tha se Kosova e Austria, kanë raporte shumë të mira, dhe vlerësoi kontributin e shtetit austriak për ndihmën e përkrahjen që ka dhënë për vendin tonë. Shala, po ashtu shprehu gatishmërinë që bashkëpunimi mes dy vendeve tona të rritet edhe më tej në të ardhmen në plane konkrete si dhe në shkëmbim të përvojave mes dy vendeve.

Kurse, ambasadori i Austrisë në Kosovë, Johann Brieger, ka uruar zëvendëskryeministrin Shala për detyrën e re dhe ka vlerësuar përkushtimin e ministrit për objektivat që ka në plan për të përmbushur dhe ka shfaqur qëndrimin se shteti i Austrisë është i gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin dhe ndihmën për shtetin e Kosovës, por edhe për fushat përkatëse që mbulon MKRS-ja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat