Lama: Jabllanoviq lëri 'bilbilat' nga Beogradi, këtu je në Kosovë

Kosova

Lama: Jabllanoviq lëri 'bilbilat' nga Beogradi, këtu je në Kosovë

Nga: H.Orana Më: 29 janar 2015 Në ora: 08:33

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Alma Lama ka thënë se ministri Jabllanoviq e ka djegur karrierën e vet politike me deklaratën e bërë disa javë më parë, duke fyer rëndë kategorinë më të ndjeshme të shoqërisë, nënat shqiptare që ende nuk kanë kallur në dhe bijtë e tyre.

“Prej ditës së parë kam thënë se ai e ka djegur të ardhmen e tij politike, duke quajtur "egërsira" qytetarët. Gabim edhe më fatal, si pasojë e papjekurisë dhe arrogancës së tij, është se kjo fjalë e papranueshme i adresohet kategorisë më të ndjeshme të shoqërisë së Kosovës: nënave që ende nuk i kanë kallur ne dhe bijtë e tyre të rrëmbyer e të zhdukur nga regjimi serb”, ka shkruar Alma në Facebook.

Ajo tha se me këtë deklaratë ai ka nxitur urrejtje etnike në një vend ku vetëm luftën e fundit futi nën dhe rreth 15 mijë shqiptarë.

“E gabimi bëhet ortek i pandalshëm, kur kjo fjalë e rëndë bëhet ndaj komunitetit tjetër, duke nxitur urrejtje etnike, aq e padëshiruar kjo, në një vend ku ajo urrejtje ishte aq e verbër sa futi në varr vetëm në luftën e fundit rreth 15 mijë veta (shqiptarë) Nuk po flas për qindra mijëra shqiptarët e vrarë nga serbët prej vitit 1912, kur Serbia e pushtoi Kosovën”, vlerëson ajo.

Sipas deputetes Lama, Jabllanoviq para se të merrte postin e ministrit është dashur të mësoj këto, pavarësisht mesazheve nga Beogradi. Ajo thotë se ai ka dëmtuar edhe interesat e bashkëqytetarëve të tij serbë, andaj zgjidhja më e mirë është të jap dorëheqje.

“Jabllanoviq, përpara se të merrje postin e ministrit duhej t'i mësojë këto, pavarësisht çfarë bilbilash të fryjnë në vesh nga Beogradi. Këtu je në Kosovë. Po kështu duhej të mendoje edhe për bashkëqytetarët e tu serbë që e kanë ndarë mendjen të jetojnë në Kosovë, me fqinjët shqiptare. Ti i dëmtove ata dhe interesat e tyre. Politika do më shumë mend e takt, prandaj shko në shtëpi, ta shohësh nga televizori si spektator. Zgjidhje tjetër nuk ke”, ka theksuar deputetja Lama./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat