Sami Hamiti, Shpend Ahmetit: Shihemi në gjyq

Kosova

Sami Hamiti, Shpend Ahmetit: Shihemi në gjyq

Më: 28 janar 2015 Në ora: 17:19

Shef i Grupit të Këshilltarëve të LDK’së në Kuvendin e Prishtinës, Sami Hamiti, ka reaguar ndaj akuzës së sotme të Shpend Ahmetit, duke thënë se Kryetari i Prishtinës do të ballafaqohet në gjyq për shpifje.
“Pos në Kuvendin e Prishtinës, për shpifjet dhe rrenat që po resh mbi mua, Shpendi mund të ballafaqohet me mua edhe në gjyq”, ka shkruar Hamiti, në një reagim me shkrim.

“E gjithë kjo në përpjekjen e tij fëmijënore që me rrjetime të tilla rrenash e shpifjesh të zhvendosë vëmendjen nga puna e tij katastrofalisht e dobët si kryetar i Prishtinës, apo mospuna e padija e tij e spikatur, për çka fatkeqësisht del e shfaqet edhe krenar”, ka shtuar ai.

Lexojeni të plotë deklaratën

Deklaratë e Sami Hamitit, shef i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës

Prishtinë, 28 janar 2015

Grupit të Këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës i ka kërkuar sot (e mërkurë, 28 janar 2015) kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit, që të shqyrtojë pozitën e tij si kryetar i kryeqytetit në dritën e rolit të tij në protestën e djeshme të dhunshme në Prishtinë. Grupi ynë e ka qortuar Ahmetin se është sjellë jo si kryetar i të gjithë qytetarëve, siç i takon të jetë me detyrë, por si eksponent i një politike të VV-së që ka sfiduar pushtetin qendror dhe policinë e Kosovës me mjete dhune, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme Prishtinës dhe Kosovës.

Në vend se të reflektonte, Shpend Ahmeti ka reaguar në ndërkohë sot me një postim-deklaratë, të shkruar analfabetçe e me një ton idhnak, duke më vënë në shënjestër mua me insinuata, shpifje e rrena, siç po bën tash e një kohë. E gjithë kjo në përpjekjen e tij fëmijënore që me rrjetime të tilla rrenash e shpifjesh të zhvendosë vëmendjen nga puna e tij katastrofalisht e dobët si kryetar i Prishtinës, apo mospuna e padija e tij e spikatur, për çka fatkeqësisht del e shfaqet edhe krenar.

Unë kam një përgjigje të shkurtër për rrenat e insinuatat që shqiptoi sot Shpend Ahmeti. Nuk kam thënë askund (as këshilltarëve të askujt) se do t’ia tregoj vendin Shpendit! Nuk është gjuhë e imja kjo! Nuk kam lidhje as me tokat (pronat) private në Butofc, as me punët në sheshin e kryeqytetit, për të cilat VV-ja e tij ka bërë akuza publike. Me këto akuza rreth sheshit është marrë prokuroria dhe ka kthyer përgjigjen në administratën që e drejton Shpend Ahmeti se nuk ka pasur parregullsi, mirëpo Ahmeti ose nuk do ta dijë këtë ose shpif qëllimisht. Është krejt naiv, për të mos thënë idiotik, pretendimi i tij se dikush tjetër i ka faj për ndeshjen e tij me zbatuesit e ligjit gjatë protestës së dhunshme në Prishtinë ditën e djeshme. Nuk është ndeshur më kundërshtarë politikë ai dje – me ne hiç se hiç – por me zbatuesit e ligjit. Në daçin, ai dhe zbatuesit e ligjit duhet ta shqyrtojnë, në rrugë institucionale, arsyet e ndeshjes së tyre.

Si përfaqësues i zgjedhësve të mi, si kryetar i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës, do të vazhdoj të punoj me ngulm në institucione, për të siguruar që këto të jenë në shërbim të qytetarëve, në zbatim të obligimeve ndaj tyre dhe ndaj ligjit. Mbi këto baza do të ballafaqohem në Kuvend të Prishtinës me Shpend Ahmetin dhe pakicën e tij qeverisëse që po qeveris keq, apo nuk po qeveris fare, sepse nuk po di dhe nuk po mundet.

Pos në Kuvendin e Prishtinës, për shpifjet dhe rrenat që po resh mbi mua, Shpendi mund të ballafaqohet me mua edhe në gjyq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat