Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale

Kosova

Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale

Nga: Valbona Mazreku Më: 28 janar 2015 Në ora: 16:53

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, prezantoi para komisionit objektivat dhe sfidat e këtij dikasteri për vitet në vijim. Në këtë mbledhje u miratua edhe plani i punës për vitin 2015.Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga zëvendëskryetarja e parë, Njomza Emini, zhvilloi sot një takim njoftues me ministrin e Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Imet Rrahmani, me të cilin diskutoi lidhur me prioritetet dhe sfidat e ministrisë që ai udhëheq.

Zëvendëskryetarja Emini potencoi rëndësinë e një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet komisionit dhe ministrisë, si në aspektin e hartimit të legjislacionit, ashtu edhe të gjetjes së zgjidhjeve një varg problemeve që e karakterizojnë këtë fushë.

Duke e konsideruar shumë të rëndësishëm faktin që shëndetësia është radhitur si një nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës, ministri Rrahmani prezantoi para komisionit objektivat dhe sfidat e këtij dikasteri për vitet në vijim.
Si një nga prioritetet e kësaj ministrie, ai i cilësoi zbatimin e reformës përmbajtësore dhe gjithëpërfshirëse në këtë sektor, duke u bazuar në Strategjinë sektoriale të Shëndetësisë 2014-2020. Ndryshimi i sistemit të financimit, themelimi dhe funksionalizimi i Fondit Publik të Sigurimeve Shëndetësore, përmirësimi i infrastrukturës shëndetësore, shfrytëzimi optimal i resurseve profesionale nëpërmjet integrimit të shërbimeve shëndetësore në të tri nivelet e kujdesit shëndetësor, si dhe zhvillimi i kapaciteteve menaxheriale, u konsideruan si prioritete të tjera të kësaj ministrie.

“Objektiva të tjerë do të jenë edhe pjesëmarrja aktive në bashkëpunime bilaterale dhe multilaterale në fushën e shëndetësisë ndërkombëtare, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare shëndetësore, si dhe furnizimi i rregullt dhe i plotë me barna elementare dhe kujdes i veçantë për kategoritë specifike të popullsisë”, theksoi ministri i Shëndetësisë. Ai përmendi edhe kompletimin e themelimit të odave të profesionistëve shëndetësorë dhe bartjen graduale të përgjegjësive, si dhe hartimin e ligjeve të parapara për vitin 2015.

Në vazhdim, anëtarët e komisionit trajtuan edhe probleme të tjera me të cilat përballet ky sektor, ndërsa shtruan edhe disa pyetje në adresë të ministrit. Deputetët u interesuan për një varg zhvillimesh në fushën e shëndetësisë, si: rastet e fundit të dyshuara për korrupsion dhe mashtrim në spitalet private, informimin shëndetësor, specializimet jashtë vendit, listën e pagave, sigurimin e barnave dhe materialit tjetër shpenzues nga lista esenciale, mjekimin intensiv qendror etj.

Pasi dha sqarimet e nevojshme në pyetjet e ngritura, ministri Rrahmani shprehu gatishmërinë për të qenë në shërbim të komisionit në çdo kohë, kur kjo konsiderohet e nevojshme nga ana e anëtarëve të tij.
Në këtë mbledhje, komisioni miratoi edhe planin e punës për vitin 2015.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat