Fillon vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga protesta

Kosova

Fillon vlerësimi i dëmeve të shkaktuara nga protesta

Më: 28 janar 2015 Në ora: 14:05

Komuna e Prishtinës ka filluar të bëjë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga protesta e djeshme në kryeqytet.

Protesta e organizuar në Prishtinë, ka shkaktuar dëme materiale në pronën publike dhe në atë private. Qytetarëve të cilëve u janë dëmtuar veturat po kërkojnë përgjegjësi dhe kompensim.

Bekim Govori, banor i Prishtinës, ka thënë se vetura e tij është dëmtuar shumë, ndërsa thotë se faturën e dëmeve do ta dërgoj në adresë të Vetëvendosjes.

“Dëmet janë diku rreth 2 mijë euro, kerrin tim ma kanë shkatërrua i tëri dhe nuk ka mbetur asgjë prej tij, duke i gjuajt policinë me gurë e kanë rrok kerrin tim, unë faturën e kam plan me ja dërgua Vetëvendosjes, me ma paguar s’ma paguan por dua me u qetësuar moralisht, unë jam prej atyre që e kemi gjendjen krejt të vështirë, por unë dua me punuar e jo me gjuajt gurë”.

Në këtë proteste janë dëmtuar edhe shumë lokale private për rreth sheshit të kryeqytetit. Disa nga menaxherët e tyre, thonë se kjo është e pafalshme.

“Kemi pas shumë dëme, afër dyqanit janë shkallët dhe dritaret janë të krisura, na kanë shkaktuar shumë probleme, dhe me siguri që dëmet kemi mi paguar vet sesa që presim prej dikujt tjetër”.
E zyrtarë nga drejtoria e Shërbimeve Publike në komunë të Prishtinës, janë në teren duke bërë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në zona publike.

Zëdhënësja Miranda Mullafazliu thotë për Radio Kosovën se varësisht nga kushtet e kontratës, do të bëhet edhe kompensimi i dëmeve publike.

“Janë duke bërë vlerësimin për dëmet që janë shkaktuar në zona publike, në shesh, në semafor, shenjëzimin të rrugëve të Prishtinës, posa të përfundojnë të gjithë vlerësimet në teren do të hartohet edhe një raport i cili do të tregojë saktësisht sesa janë dhe ku janë dëmtimet e pronës publike, dhe varësisht nga kushtet e kontratës që i kemi do të aplikohet kompensimi dhe riparimi i tyre”.

Zëdhënësja Mullafazliu, ka lënë të kuptohet se vendimi për kompensimet në pronat private të shkaktuara gjatë ditës së djeshme, nuk është marr ende, ndërkaq ka ritheksuar se dëmet në zona private të shkaktuara gjatë ditës së shtunë, nuk do të kompensohen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat