AAK, për protesta pa dhunë

Kosova

AAK, për protesta pa dhunë

Nga: M.Lakna Më: 28 janar 2015 Në ora: 13:41

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e kryesisë në të cilën ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit në vend.

“Kryesia vlerëson se protestat janë një mjet demokratik për të shprehur pakënaqësi qytetare të cilësdo natyre. Kërkesat tashmë të identifikuara dhe të drejtuara Qeverisë janë legjitime dhe të drejta. Aleanca beson se protestat qytetare për veprime apo mosveprime të caktuara të Qeverisë nuk kanë për qëllim dëmtimin e shtetit, por përkundrazi, fuqizimin e tij dhe ndërprerjen e fyerjes, nënçmimit dhe shantazhimit të vazhdueshëm ndaj qytetarëve dhe vendit”, thuhet në komunikatë.

Sipas AAK-së Qeveria e Kosovës e bartë përgjegjësinë e plotë, si për veprim, ashtu edhe për mosveprim.

“Aleanca do të vazhdojë përkrahjen dhe mbështjetjen e protestave gjithëpopullore deri në realizimin e kërkesave legjitime dhe të drejta. Në të njejtën kohë, Aleanca distancohet dhe dënon dhunën reciproke e cila është ushtruar në rrugët e kryeqytetit dhe njëkohësisht fton Qeverinë që të reflektojë ndaj kërkesave dhe mos të tentojë të zhdukë problemet e qytetarëve dhe të vendit përmes përdorimit të aparatit policor. Kosova ka përvojë tepër të gjatë dhe të hidhur me situatat kur problemet provohen të zgjidhen me polici” përfundon komunikata e AAK-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat