Mustafa: Organizatorët e protestës kishin për qëllim marrjen e pushtetit pa votën e popullit

Kosova

Mustafa: Organizatorët e protestës kishin për qëllim marrjen e pushtetit pa votën e popullit

Më: 28 janar 2015 Në ora: 08:51

Kryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa ka dënuar dhunën e përdorur në protestën e së martës në Prishtinë. Ia tha se e drejta për protestë nuk nënkupton edhe sulm ndaj forcave të rendit dhe institucioneve të shtetit. Këto deklarata Mustafa i bëri në mbledhjen e qeverisë së Kosovës.

“Qeveria e Kosovës respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar por tendenca për të përdorur protestat për të dëmtuar pronat publike dhe private, për të sulmuar policinë dhe shtetin është e papranueshme në një shoqëri demokratike. Policia e Kosovës si një institucion i pavarur kushtetues e ka mbështetjen e plotë të Qeverisë për të mbrojtur objektet shtetërore dhe publike nga partitë politike të cilët po keqpërdorin qytetarët për përfitime politike me qëllim që të krijojnë trazira dhe të vijnë në pushtet me forcë. Shkaktari i dhunës së djeshme ishte ultimatumi i dhënë nga ana e organizatorëve të protestuesve për t’u hequr kordonët e Policisë që mbronin institucionet dhe pronën shtetërore”, tha Mustafa.

Në një vend ku sundon ligji, ultimatumet janë të patolerueshme, tha kryeministri Mustafa. Sipas tij, ngjarjet e protestës së fundit në Prishtinë janë të orkestruara nga opozita.

“Sulmi i opozitës kundër Policisë së Kosovës është sulm kundër së drejtës, është sulm kundër vlerave me të larta demokratike dhe është sulm kundër institucioneve të pavarura. Policia janë burrat dhe gratë e përkushtuara të Kosovës që nuk kursejnë dhe nuk kursyen asgjë nga vetja për të garantuar funksionimin e shtetit, pronën publike, private dhe qytetarët në përgjithësi”, tha Mustafa.

Ndërsa Ministri i Punëve të brendshme, Seknder Hyseni ka folur për vizitën e tij në Hungari. Sipas tij me zyrtar të shtetit Hungarez ai ka biseduar edhe për çështjen e mingrimit të qytetarëve të Kosovës, përmes Hungarisë për në shtetet e Bashkimit Evropian.
“Nuk do mend që temë qendrore e bisedës ka qenë migrimi ilegalë, shumë shqetësues për Kosovën dhe tejet shqetësues për Hungarinë, sepse 80 për qind e migrantëve përdorin Hungarinë për dalje. Ata më kanë mundësuar të vizitoj një qendër të pranimit dhe të shoh kushtet në të cilat vendosen migrant jo vetëm nga Kosova, por shumë edhe nga lindja e afërt”, tha Hyseni.

Ministri Hyseni, tha gjithashtu se Hungaria po negocion me autoritete serbe që të përdorin rrugën tokësore për kthim sepse shtetasve të Kosovës, nuk do tu garantohet azil sepse Kosova në hartën ndërkombëtarë figuron si vend i sigurte.

“Hungaria përballet me një problem teknik që ka dimension edhe politik, kjo që Serbia toleron hyrjen në serbi me letërnjoftim, dhe është kategorik kundër kthimit me letërnjoftim. Kjo kërkon zgjidhje dhe unë e kam lutur ministrin hungarez që të kërkoj zgjidhje për këtë sepse kjo paraqet problem real për Hungarinë dhe për azilkërkuesit që u refuzohet azili”, tha Hyseni.

Ndërsa duke komentuar protestat e të martës në Prishtinë, ministri Hyseni tha se protesta nuk ishte paralajmëruar në institucionet e sigurisë, por sipas tij, policia e Kosovës, ishte mobilizuar me kohë.

“Pavarësisht nga kjo shkelje dhe mospërfillja e organeve të rendit dhe ligjit në pajtim me ligjin, policia e Kosovës me kohë ka ndërmarrë të gjitha veprimet taktiko-operative për të siguruar një ambient ku qytetarët e Kosovës mund të protestojnë dhe demonstrojnë lirshëm, të ngrisin zërin e tyre lirshëm për të gjitha shqetësimet që kanë në mënyrë paqësore . Policia e Kosovës ka demonstruar kulturë të lartë profesionale. Profesionalizëm të skajshëm dhe vetëpërmbajtje në përballje me protestuesit”, tha Hyseni.

Sipas ministrit Hyseni, shumë shpejtë pas fillimit të protestës sipas raportit të policisë një numër protestuesish kanë filluar të përdorin objekte dhe mjete të ngurta kundër policisë së Kosovës. Të gjitha mjetet sipas përshkrimit të policisë që janë përdorur nga protestuesit kanë mundur të jenë potencialisht vdekjeprurëse sepse flasim për tulla të forta të betonit dhe me këtë rast dy police janë lënduar rëndë njëri në kokë dhe tjetri në këmbë, dhe sipas Hysenit, policia e Kosovës është vetëmbrojtur.

“Është një numër i madh të lënduarish edhe nga policia edhe nga qytetarët dhe ai numër arrin 20 protestues dhe 92 te policia e Kosovës. Vetë këto shifra tregojnë se policia ka qenë absolutisht deri në maksimum e vetëpërmbajtur dhe është përpjekur të evitoj situata dhune dhe konfrontimi. Fatkeqësisht siç e kemi parë të gjithë kjo ka qenë e pamundshme”, tha Hyseni.

Sipas Hysenit, dallimi i reagimeve të policisë nga protesta e të shtunës dhe ajo e të martës, qëndron në analizën për reagim të bërë nga analistët profesionist të policisë.

“Policia e Kosovës e ka parë të papranueshme ultimatumin që i është bërë për tërheqje të perimetrit të sigurisë dhe policia e ka të drejtën ekskluzive në pajtim me vlerësimet që ajo bën që të përcaktoj perimetrin dhe teknikën e përballjes dhe sigurimit të protestës paqësore. Derisa në protestën e së shtunës policia ka vepruar ashtu siç ka vepruar, në protestën e djeshme analistët profesionistë të policisë kanë vlerësuar se duhej të veprohej ashtu siç është vepruar.

Policia e Kosovës, Ministria e Brendshme, qeveria e Kosovës e njeh plotësisht të drejtën e qytetarëve për protestë në mënyrë paqësore, të protestohen në mënyrë të lirë, por në të njëjtën kohë tërheq vërejtjen dhe bën thirrje të respektohen ligjet në fuqi sepse vetëm duke respektuar ligjet në fuqi edhe protesta mund të kenë efektet e duhura”, tha Hyseni.

Mustafa mbledh sot kabinetin qeveritar

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, do të mbledhë sot kabinetin e tij qeveritar.

Kjo mbledhje po mbahet një ditë pas protestës që u organizua nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë tjera opozitare, protestë kjo që la të lënduar dhjetëra protestues dhe pjesëtarë të policisë së Kosovës.

Po ashtu gjatë protestës së djeshme u arrestuan rreth 100 persona.

Nuk dihet nëse gjatë mbledhjes së sotme të këtij kabineti qeveritarë do të diskutohen kërkesat e djeshme të protestës për shkarkimin e ministrit për Kthim dhe Komunitete Aleksandër Jabllanoviq dhe kthimin e ligjit në Kuvend për ndërmarrjen “Trepça”.

Mbledhja e Qeverisë është thirrur për në orën 10:00.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat