Sejdiu: Veprimet e Mustafës jetikë për Kosovën dhe LDK-në

Kosova

Sejdiu: Veprimet e Mustafës jetikë për Kosovën dhe LDK-në

Më: 28 janar 2015 Në ora: 07:56

Korab Sejdiu, ish- kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës, nga AKR, me anë të një shkrimi ka komentuar protestën e ditës së djeshme, kundër Aleksandër Jabllanoviqit, dhe për Trepçën.

Sipas tij, veprimet e ardhshmë të kryeministrit Isa Mustafa, janë jetike jo vetëm për Kosovën, por edhe për partinë e tij, LDK-në.

Me poshtë mund të lexoni shkrimin e plotë të Sejdiut:

Disa vështrime për ngjarjet e dhimbshme të sotit:

(jo të listuara sipas rëndësisë)

1. Protesta e sotit ishte më shumë se protestë e subjekteve politike. Sot në protestë ka pasur anëtarë, e edhe militantë, të të gjitha partive politike në Kosovë. Në fakt, ka pasur edhe persona që janë tërësisht indiferent ndaj përkatësive politike. Thjeshtë, ishte protestë qytetare.

2. Protestuesit që ishin të pranishëm sot dhe të shtunën dolën për arsye të mllefit dhe zemërimit sa i përket shumë problemeve shoqërore, ekonomike, dhe politike në vend. Pra, Jabllanoviqi dhe Trepca ishin vetëm dy nga mijëra arsyet që i qitën qytetarët në rrugë. Dolën të gjithë ata që u keqtrajtuan nga administrata; të gjithë ata që nuk u përzgjodhën për një vend pune sepse vendi të cilin ata e merituan iu dha një militanti partiak; të gjithë ata që nuk mund të blejnë medikamente për fëmijët e tyre; të gjithë ata që përcollën familjarët për rrugën e rrezikshme të migrimit ilegal; të gjithë ata që nuk pajtohen me na u bë Serbia zot shtëpie me izën tonë; të gjithë ata që nuk gjetën shërim e medikamente në spital; të gjithë ata që i dërgojnë fëmijët në shkolla të stërmbushura me militantë të pakualifikuar, e kështu me rradhë.

3. Një ministër (cili do qoftë ai) nuk është edhe aq i rëndësishëm për të justifikuar me qindra qytetarë (protestues e policë) të plagosur, shumë të tjerë të arrestuar, dhe të gjithë qytetarët e Kosovës shpirtërisht të lënduar.

4. Vëllezër e motra protestues e policë. Nuk e keni merituar asnjëra palë që mllefin që keni me jetën e zymtë në Kosovë të shkaktuar nga keqqeverisja 15 vjeqare nga disa armiq të këtij vendi, ta shfryeni në njëri tjetrin. Të dy palët keni qenë të detyruar të jeni aty: policët nga urdhërat, e protestuesit nga zhgënjimi me jetën. Në të ardhmen, përmbajuni për rize të Zotit, se jeni vëllezër e motra dhe keni të njëjtin gjak që rrjedh brenda (sot edhe jashtë) jush.

5. Nëse VV insiston që të tjerët të sillen në përputhje me ligjin, është mirë që zbatimin e ligjit ta fillojnë vet dhe një herë e përgjithmonë të kuptojnë se protestat duhet të paralajmërohen në përputhje me ligj (dicka që ekziston në tërë botën demokratike) dhe në protestat e organizuara nga ata, të mos bëhen thirrje që mund të cilësohen si ose të shkaktojnë dhunë (p.sh. hjekja e barikadave të policisë).

6. Pezmatimi i popullit deri në këtë masë mund të kanalizohet për të mirë të Kosovës, nëse Qeveria e përdorë këtë energji për të fuqizuar pozicionin negociues të Kosovës karshi Serbisë dhe për të eliminuar efektet e Serbisë brenda Kosovës. Për më tepër, me shkarkimin e Jabllanoviqit, KM Mustafa mund të disiplinojë edhe të tjerët që mund të rebelohen në të ardhmen dhe të jep sinjal të qartë se ne jemi shtet.

7. Veprimet e ardhshme të KM Isa Mustafa janë jetike jo vetëm për Kosovën, por edhe për LDK-në, e cila ka pësuar goditje të hatashme ne elektorat po në atë moment kur vendosi të hyj në qeveri me PDK-në. Të lutem, me veprimet e tua të rradhës, bashkoje popullin e mos e polarizo atë.

8. Shkatërrimi i pronës nuk justifikohet në asnjë mënyrë, e veqanërisht i asaj private. Prona jonë e përbashkët po tjetërsohet mjaftë nga korrupsioni e hajnia - nuk kemi nevojë tani ta shkatrojmë pronën e njëri tjetrit edhe ne protesta. Të mos i dëmtohet prona bashkëqytetarëve tanë, që me vështirësi të madhe e bëjnë edhe atë veturë, dyqan, apo pronë tjetër.

9. Qeveria PDK-LDK të kuptojë se të gjithë që kanë tentuar ta shtypin vullnetin e shqiptarëve me dhunë në të kaluarën kanë dështuar. Mos e provoni këtë prap, se nuk iu del llogaria.
Mirëpres vështrimet e juaja për ngjarjet e fundit!/BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat