56 policë dhe 26 protestues të lënduar, 120 të arrestuar! (Foto)

Kosova

56 policë dhe 26 protestues të lënduar, 120 të arrestuar! (Foto)

Nga: Diana Bunjaku Më: 27 janar 2015 Në ora: 18:48

Drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, dhe Kryeprokurori i Shtetit Sylë Hoxha, menjëherë pas përfundimi të protestës të sotme, organizuan një konferencë të jashtëzakonshme për media, me qëllim të paraqitjes së fakteve dhe të dhënave në përgjithësi gjatë protestës së eskaluar. Në këtë konferencë u paraqitën edhe mjetet e ndryshme më të cilat protestuesit kishin sulmuar policinë, duke filluar nga tjegullat e betonit e deri tek mjete të ndryshme (të hekurta) dhe gjëra tjera prej druri.
Kryeprokurori i shtetit Sylë Hoxha tha se, të gjithë të dyshuarit që kanë kryer vepra penale, si sulme ndaj personave zyrtar dhe veprime inkriminuese në pronat private, dhe ato publike, do të përgjigjen para organeve të drejtësisë. “ Të gjithë pjesëmarrësit në huliganizëm që bën asgjësimin e pronave publike dhe shkatërrimin e qytetit, do të japin llogari, para drejtësisë”, tha kryeprokurori Hoxha.

Ndërsa Shpend Maxhuni, drejtori i Policisë së Kosovës, tha se kishte kërkuar takim me organizatorët e protestës, mirëpo sipas tij ata kishin refuzuar që të takoheshin me të. “ Protesta e sotme ka eskaluar në dhunë, pasi që protestuesit nuk i janë përmbajtur qetësisë, duke cenuar kështu edhe rendin dhe sigurinë publike.
Gjithashtu në këtë protestë deri me tash janë 56 policë të lënduar kanë kërkuar ndihmë mjekësorë, si dhe dy të tjerë janë në gjendje të rëndë shëndetësore”, ka thënë Maxhuni, duke shtuar se njëri nga policët ka marrë lëndime të rënda në kokë, kurse tjetri në kokë dhe në dorë me thyerje (fraktura).

Ai ka shtuar se policia varësisht nga situata edhe ka reaguar, meqë planifikimin e kishte bërë më herët, për raste emergjente.

“Deri më tani në stacion policor janë sjellë 120 persona, por meqenëse ky numër nga çasti në çast po rritet, ende nuk dihet numri definitiv, meqë Polica e Kosovës, po vazhdojë arrestimet”, tha Maxhuni.
Ai po ashtu pranoi se policia kishte përdorur edhe plumba gome gjatë përleshjes së sotshme me protestuesit, me qëllim të mandatit të saj ligjor për ruajtjen e sigurisë dhe rendit publik.
Ndërsa Basri Lenjani drejtor në QKUK, tha se që nga fillimi i protestës janë trajtuar 73 protestues, 44 policë dhe 29 qytetarë të rastit.
“ Asnjë prej të lënduarve nuk është në rrezik jete dhe se shumica e qytetarëve janë të lënduar në kokë ,dhe në sy, kurse policët kryesisht në këmbë dhe duar”, ka thënë Lenjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat