KFOR-i amerikan njëri prej kontribuuesve më të rëndësishëm në Kosovë

Kosova

KFOR-i amerikan njëri prej kontribuuesve më të rëndësishëm në Kosovë

Më: 27 janar 2015 Në ora: 10:29

Rreth 700 ushtarë të KFOR-it amerikan vazhdojnë të jenë të pranishëm në Kosovë. Ky numër është vlerësuar të jetë edhe kontribuuesi më i madh i KFOR-it në Kosovë.

Kështu është thënë gjatë një takimi që ka pasur komandanti i KFOR-it Gjeneral Major Francesco Paolo Figliuolo, me ambasadoren amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, në kampin "Film City".

Kjo, ishte edhe vizita e parë e ambasadores Jacobson në Shtabin qendror të KFOR-it.

Sipas një njoftimi për media, gjatë këtij takimi u diskutuan shumë tema në lidhje me zhvillimet më të fundit të situatës së sigurisë dhe socio-ekonomike në Kosovë.

U theksua gjithashtu roli efektiv i KFOR-it në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt dhe lirisë së lëvizjes, e cila mundëson zhvillimin e kushteve më të mira sociale dhe ekonomike.

“Gjatë takimit Gjenerali Figliuolo nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së kontingjentit amerikan që përbëhet prej rreth 700 ushtarëve, të vendosur kryesisht në Grupin Shumëkombësh Luftarak Lindje, me bazë në kampin ‘Bondsteel’, dhe në Shtabin qendror KFOR-it. Komandanti i KFOR-it shprehu vlerësimin e tij për kontributin e SHBA-së, duke theksuar profesionalizmin dhe përkushtimin e trupave të saj në terren që nga viti 1999 si pjesë e një force stabilizuese ndërkombëtare pas përfundimit të luftës”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, ambasadorja Jacobson theksoi se SHBA-ja po vazhdon të mbështes misionin e KFOR-it si një nga kontribuuesit më të rëndësishëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat