Transporti hekurudhor, prioritet linja me Shqipërinë

Kosova

Transporti hekurudhor, prioritet linja me Shqipërinë

Më: 26 janar 2015 Në ora: 20:59

Sa janë funksionale hekurudhat e Kosovës dhe sa po investohet për zhvillimin e transportit hekurudhor i cili është edhe kusht i BE-së për proceset e ardhshme integruese.

Drejtuesit e Hekurudhave thonë se prioritet i tyre është hapja e linjës me Shqipërinë dhe rihapja e linjës Leshak Hani i Elezit.
Dikur treni ishte mjeti thuajse i vetëm apo më i përdorshmi për transport, mbase kishte shumë arsye, edhe çmimi por edhe koha e shpejtë deri në destinacion. Dhe, tani autoritetet e vendit po e konsiderojnë domosdoshmëri zhvillimin e transportit hekurudhor.
“Investimi në hekurudhë është investim në të ardhmen ekonomike, në të ardhmen zhvillimore të çdo vendi. Edhe Kosova është e përkushtuar në këtë drejtim. Kemi kapacitet që ta mbështesim zhvillimin e hekurudhave, hapjen e linjave të reja, modernizimin e linjave nacionale ekzistuese dhe patjetër që transporti hekurudhor ka qenë, mbetet dhe do të mbesë transporti më i lirë dhe transporti më i pranueshëm në aspektin e ndotjes së ambientit, transporti më i saktë dhe më i shpejtë në transportin e mallrave, por edhe në transportin e udhëtarëve. Nuk kemi rrugë tjetër të zhvillimit. Fundi i fundit kjo është edhe kërkesë që deri në vitin 2020 një pjesë e transportit të mallrave të kalojë nga rruga në hekurudhë”, ka theksuar Agron Thaçi, drejtor i Hekurudhave.
Drejtori i Hekurudhave, Agron Thaçi, flet edhe për projektet parësore dhe hapjen e linjave të reja me vendet e rajonit.
"Për momentin ne jemi duke operuar nga Fushë Kosova në Pejë dhe nga Fushë Kosova në Han të Elezit, ndërsa sa i përket sigurisë së infrastrukturës hekurudhore mund të themi se nga paslufta kemi shkallën më të lartë të sigurisë. Mirëmbajtja e infrastrukturës hekurudhore ka pranuar investimet më të mëdha ndoshta në 30 vitet e fundit. Kjo falë investime jo shumë të mëdha por modeset të qeverisë së Kosovës. Jemi të përkushtuar që të rihapim linjën Leshak - Hani i Elezit, linjën e 10-të hekurudhore në mënyrë që të kemi akces shumë më të shkurtër drejtpërdrejt me Evropën Qendrore sepse ajo është një pjesë shumë e rëndësishme, ndërsa sa i përket linjave të reja prioritet e kemi hapjen e linjës Kosovë-Shqipëri dhe në këtë drejtim të dy qeveritë po punojnë”, ka shtuar Thaçi.
Sipas tij, projekti me Shqipërinë është me rëndësi të madhe ekonomike, sociale dhe mundësi për ta lidhur korridorin 8 me atë 10 ndërkombëtar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat