Shqetësim për sigurinë në vend, ftohet të raportoj ministri Hyseni

Kosova

Shqetësim për sigurinë në vend, ftohet të raportoj ministri Hyseni

Më: 26 janar 2015 Në ora: 11:41

Në Kosovë javë më parë kishte hyrë një person nga Serbia me 13 kg eksploziv, ndërsa policët patrullojnë rrugëve veshur me antipulumb, por qytetarët nuk janë në dijeni se çfarë po ndodhë me sigurinë në vendin e tyre. Anëtarët e Komisionit për Siguri dhe mbikëqyrjen e FSK-së në Kuvendin e Kosovës, kanë ftuar ministrin e Brendshëm, Skender Hyseni, të raportoj në këtë komision, nëse situata e sigurisë në vend, është apo jo stabile.

Anëtarët e Komisionit për Siguri dhe mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, kanë ftuar ministrin e Brendshëm, Skender Hyseni që javën e ardhshme të raportoj në komision lidhur me nivelin e sigurisë në vend.
Anëtari i këtij komisioni nga Nisma, Zafir Berisha e parashtroi këtë kërkesë, duke thënë se komisioni duhet të dijë më shumë për rastin e shtetasit serb, Sllobodan Gavriq, i cili u kap me 13 kg materie shpërthyese në mes të Prishtinës.

“Unë kam një kërkesë që që javën e ardhshme me qenë në një dëgjim ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni për një çështje që ka qenë mediale por nuk jemi shumë të njoftuar, pra çështja e një qytetari të Serbisë që është zënë në Kosovë. ne jemi të njoftuar më shumë nga mediat, por simptomat në terren tregojnë se ka një gatishmëri të organeve të sigurisë por nuk jemi duke e ditë për çka. Ne nuk duam të prishim hetimet, por së paku në vija të trasha ta dimë gjendjen e sigurisë në Kosovë se në çfarë shkalle është. Është mirë që komisioni, edhe nëse ka nevojë me dyer të mbyllura të diskutojë por vetëm të njoftohemi për aspektin e sigurisë në vend”, tha Berisha.
Ndërkaq, Nuredin Ibishi nga LDK tha se ministri duhet të pyetet edhe për protestën e organizuar nga partitë opozitare të shtunën, se nëse ajo ka qenë e paralajmëruar.

“Pa hyrë në çështjen e motivit dhe organizimit të tubimit publik të shtunës, por po nisem nga arsyet ligjore ku thuhet se tubimi duhet të lajmërohet. Unë mendoj që duhet pyetur se a ka qenë tubimi i lajmëruar apo jo dhe jam që të ftohet Ministri por dhe të jepet një raport për ngjarjet e së shtunës”.

Ndërkaq, kryetari i komisionit, Daut Haradinaj tha se kërkesa ministrit do t’i dërgohet sot dhe ai po ashtu shtoi se do të ishte mirë të ftohet edhe shefi i policisë, sepse ai di më mirë se si është gjendja në terren.

“Nëse jeni dakord, javën që vjen dhe për mua është në rregull që të ftohet ministri. Ne do ta informojnë atë për pikat që jemi të interesuar. Unë mendoj që krahas ministrit duhet me qenë edhe shefi i policisë për shkak se ai është i terrenit dhe është më i informuar. Këto shqetësime që ju i ngritët janë të arsyeshme”.
Ndërkaq, një çështje tjetër që u diskutua në mbledhjen e komisionit për siguri ishte edhe Ligji i Përgjimeve.

Fadil Demaku nga PDK shprehu shqetësimin e tij se pse ky ligj i është deleguar Komisionit për Integrime.
“Në mandatin e kaluar të gjithë ne që kemi qenë në Komisionin për AKI dhe për Siguri ka qenë në shqyrtim Ligji për Përgjimet. Kemi pas punuar për një kohë shumë të gjatë në të dhe ka qenë angazhim i të dy komisioneve. Komisioni kryesor ka qenë ky për siguri në të cilin jemi tash. Ligji nuk ka kaluar në parim, pasi që të dy anëtarët e komisioneve kanë kërkuar që të bëhen disa ndryshime dhe pastaj e pamë të gjithë se si rrodhi kjo çështje dhe kaloi në një komision tjetër, atë të integrimeve. Unë nuk po e kuptoj se si në parlamentin tonë një çështje tërësisht që i takon një komisioni, si kjo për siguri, materien të cilën e trajton ai ligj, trajtohet në një komision që ka tema tjera. Ne duhet të dijmë shkaqet pse ka ndodhur kjo gjë”, tha Demaku.

Ndërkaq, Haradinaj tha se ligjin për përgjime, vet anëtarët e dy komisioneve, pra komisioni për siguri dhe AKI kanë votuar që ta largojnë nga komisionet e tyre.

“Nuk po arsyetoj, por me qenë se ka pasur një debat jo të lehtë për ligjin e përgjimeve edhe them sinqerisht për shqetësimin që nuk e ka marrë mbështetjen e deputetëve ai ligj për shkak se me atë ligj i është kompetenca policisë që të përgjoj çdo qytetarë pa asnjë urdhër. Kjo është arsyeja se pse donatorët e atij ligjin kanë menduar se është më e lehtë që ai të kaloi në komisionin për integrime. Sidoqoftë ne do t’i drejtohemi sekretarisë. Ligji është larguar nga të dyja komisionet sepse s’e ka marrë përkrahjen e anëtarëve të komisioneve”, tha Haradinaj.

Ndryshe në këtë komision gjithashtu u tha se është e nevojshme që të vizitohet stacioni policor në veri të vendit. Po ashtu, u diskutua edhe draf-plani i komisionit, ku nga të gjithë anëtarët u theksua se është e nevojshme, që në kuadër të planit por dhe kalendarit të këtij komisioni, të organizohen udhëtime në vendet e rajonit, me qëllim që të merren praktikat më të mira nga komisionet e vendeve përkatëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat