A ka burgje të mjaftueshëm, për 1.756 të burgosur?

Kosova

A ka burgje të mjaftueshëm, për 1.756 të burgosur?

Nga: Diana Bunjaku Më: 25 janar 2015 Në ora: 12:12

Ndonëse zyrtarët përgjegjës të Institucioneve Korrektues të Kosovës, thonë se tani për tani Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për të gjithë dënuarit, të cilët kanë kryer vepra të ndryshme penale, ende nuk dihet nëse këto institucione do të përballojnë numrin aktual prej 1.756 të burgosurve.
Edhe pse numri i tyre mund të ndryshoj çdo ditë, tani për tani, numri i të burgosurve aktual sa gjenden në Institucionet Korrektuese të Kosovës është 1.756. Dhe nëse këtyre Institucioneve Korrektuese, ju shtohet edhe një numër i madh i të burgosurve nga Kosova, të cilët gjenden në burgjet e shteteve ndërkombëtare, atëherë Kosova nuk do të ketë burgje dhe vende të mjaftueshme për të gjithë ata.
Sipas zyrtareve Institucioneve Korrektues të Kosovës, pas nënshkrimit të marrëveshjeve juridike me shtetet ndërkombëtare, të gjithë të burgosurit nga Kosova, që janë jashtë shtetit, do të kthehen për në Kosovë. Ata pohojnë, se me ligj dënimi maksimal për një kryerës të veprës penale, është paraparë që t’i shqiptohet deri në 40 vjet burg.
Emrush Thaçi, drejtor i Përgjithshëm në Shërbimin Korrektues të Kosovës, tha se ata do të arrijnë që të gjejnë vende të mjaftueshme për te burgosurit.
Ai ka thënë, se sipas ligjeve ne fuçi, bëjnë ekzekutimin e dënimeve me burg, si dhe ekzekutimin e masës se paraburgimit, sipas aktvendimit të gjykatës.

“Numri i të burgosurve aktual është 1.756, dhe deri me tani, sipas marrëveshjeve për ekstradimin si dhe transferimit të personave të dënuar, kemi pasur 10 persona. Aktualisht këtë numër arrijmë ta vendosin nëpër Institucione Korrektuese, duke respektuar standardet e parashikuara sipas LESP-së “ tha Thaçi, duke shtuar se deri në fund të vitit 2015, qendra e paraburgimit në Prishtinë, do të hyjë në funksion, me qendrën e paraburgimit në Gjilan dhe atë në Prishtinë.
Sipas tij, aktualisht ky numër prej 1.756 të burgosurve, arrihet që të vendoset, nëpër institucionet Korrektuese, vetëm duke i respektuar standardet e parashikuara, sipas LESP-së .
Duke folur rreth çështjes së pas nënshkrimit të marrëveshjeve juridike me shtetet ndërkombëtare, të gjithë të burgosurit nga Kosova, të cilët gjenden jashtë shtetit, do duhet të ktheheshin në Kosovë, Thaçi tha se
çdo i burgosur që vjen në Kosovë , ata janë të gatshëm që ti pranojnë ata.
“Ne jemi të gatshëm të pranojmë dhe të trajtojmë çdo të burgosur sipas Kodit Penal, Kodi Nr. 04/L-082 neni 44, ku Ligji mund të parasheh dënimin me burgim të përjetshëm, për veprat më të rënda penale të kryera në rrethana veçanërisht rënduese, ose për vepra penale që kanë shkaktuar pasoja shumë të rënda’, tha Thaçi.
Ai ka shtuar se sipas Kodit penal Neni 45, dënimi me burgim nuk mund të shqiptohet në kohëzgjatje më pak se tridhjetë (30) ditë, e as më tepër se njëzet e pesë (25) vjet. “Deri tani ende nuk kemi pasur ndonjë rast të dënimit me burgim të përjetshëm të pranuar në Institucionet Korrektuese. Por me vendim të Ministrisë se Drejtësisë, Burgu i Sigurisë së Lartë pranon të burgosur të dënuar edhe mbi 15 vite si dhe ata të cilët kategorizohen me rrezikshmëri të larte dhe shume të lartë”, tha Thaçi. Ndërsa sa i përket vendosjes së të burgosurve të kthyer nga burgjet ndërkombëtare, Thaçi ka shtuar se kjo do të bëhet ,sipas LESP dhe rregulloreve në fuqi të SHKK-së.
Ai ka shtuar se Institucionet e Shërbimit Korrektues të Kosovës, kanë vetëm gjashtë Qendra të Paraburgimit dhe tri Qendra Korrektuese, dhe nuk dihet saktësisht numri i të burgosurve, pasi numri i tyre ndryshon dita ditës.
“ Të gjithë të burgosurit që gjenden në Institucionet e Shërbimit Korrektues të Kosovës akuzohen dhe dënohen për vepra të ndryshme penale, si : vrasje, vjedhje , plaçkitje dhunim, përdhunim, trafikim me qenie njerëzore, kontrabandë, etj, “ tha Thaçi.
Nga ana tjetër njohës të çështjeve të sigurisë thonë se Kosova nuk ka burgje të mjaftueshme për të gjithë të burgosurit, pasi ka vetëm Qendra të Paraburgimit dhe Qendra Korrektuese, gjë që nuk janë të mjaftueshme.
Abdullah Shasivari ekspert i sigurisë tha se Kosova, tani për tani nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të gjithë të dënuarit, të cilët kanë kryer vepra të ndryshme penale. Ai tha për “ Botën sot” se sipas tij, numri i të burgosurve arrin shifrën prek , 2000 e jo 1.756, pasi shifrat çdo ditë e më shumë shtohen.

“ Përveç burgjeve ekzistuese, inaugurimit të Burgut të Sigurisë së Lartë në Gërdovc-Podujevë (dhjetor 2013), me ndërtimin e Burgut të Sigurisë së Lartë në Pasjak në afërsi të Gjilanit i cili është në fazën përfundimtare dhe planifikohet të kryet ne vitin 2015, Kosovës do të rritet dukshëm kapaciteti, edhe për të dënuarit të cilët kanë krye vepra të ndryshme penale”, tha Shasivari.
Ai ka pohuar se me realizimin e Burgut të Sigurisë së Lartë në Pasjak në afërsi të Gjilanit, prap nuk mundemi të themi, se këto institucione do të përballen me numrin prej 2000 të burgosurve.
“Nëse këtyre institucioneve korrektues i shtohen të burgosurit Kosovarë të cilët gjendën në burgjet e shteteve ndërkombëtare, atëherë mund të konstatojmë se Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të gjithë të dënuarit. Kosovës, natyrisht se i nevojitet ndërtimi edhe i një Burgu të Sigurisë së Lartë, për të pasur kapacitet të plotë, për të gjithë të dënuarit në Kosovë dhe të dënuarit të cilët gjendën në burgjet e shteteve ndërkombëtare”, ka thënë eksperti i sigurisë Shasivari.
Sipas tij, megjithatë standardet në Qendrat të paraburgimit dhe në Burgjet të Sigurisë së Lartë në krahasim me vitet e kaluara është dukshëm përmirësuar e sidomos në Burgjet të Sigurisë së Lartë.
“Institucionet korrektues përveç plotësimit të standardeve të Qendrave të paraburgimit dhe Burgjeve (objektet, infrastruktura, rrethoja, objektet e vëzhgimit, korridoret, dyert e korridorit dhe të dhomës automatike, dhomat me shtrat dhe tavolinë pune, shëtitore, vendet higjienike, objektet për aktivitete të lira dhe objekti për persona të paraburgosur) janë të obliguar të përmbushin edhe këto standarde. Respektimin të së drejtës themelore të jetës në burgjet e Kosovës, zbatimin e masave shëndetësore ( masat kundër epidemive, kontrollimet sanitare dhe mbikëqyrja e higjienës) si dhe parandalimin e kontrabandimit të telefonave celular, substancave narkotike, armëve të ftohta dhe armeve të zjarrit, të cilat shumë herë kanë qenë prezentë në burgje”, thotë Shasivari.

Florian Qehaja nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka pohuar se ndoshta në Kosovë për momentin ekzistojnë kapacitete të mjaftueshme mirëpo çështja në fakt ka të bëjë me diçka tjetër. Ai vlerëson se pranimi i të burgosurve për në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz të Podujevës, do të ishte zgjidhja më e mirë, për vendosjen e të burgosurve, të cilët do të ktheheshin nga burgjet ndërkombëtare në Kosovë.
“Kosova duhet të filloj nënshkrimin e marrëveshjeve juridike me shtetet veç e veç ku këto, sipas gjitha gjasave, reflektojnë kthimin e një numri të madh të burgosurve kosovar nga burgjet e shteteve tjera në Kosovë”, tha Qehaja.
Ai ka shtuar, se në këtë mënyrë, dyshon që Ministria e Drejtësisë, ka kapacitetet të përballoj një 'fluks' të tillë eventual, sidomos për rastet që bartin në vete krime të rënda.
“ Këta të fundit kërkojnë përqendrim në ndonjë burg të sigurisë së lartë, sipas standardeve ndërkombëtare, e që Kosova ende nuk e ki vendosur në funksion Burgun në Dyz. Sepse kjo çështje mund të ndërlidhet edhe me procesin e ardhshëm për integrime evropiane, e ndoshta edhe për liberalizim të vizave, në të cilin Qeveria e Kosovës duhet ti kushtoj rëndësi të posaçëm”, ka thënë Qehaja./Diana Bunjaku

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat