Fisnik Ismaili: Në mesin e protestuesve të dhunshëm ishte edhe truproja i ministrit të PDK-së

Kosova

Fisnik Ismaili: Në mesin e protestuesve të dhunshëm ishte edhe truproja i ministrit të PDK-së

Më: 24 janar 2015 Në ora: 20:24

Deputeti aktiv i Lëvizjes Vetëvendosje përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale ka shkruar versionin e tij se çka ndodhi me protestën dhe gurët që u hodhën mbi ndërtesën e Qeverisë. Më poshtë postimi i plotë.

Do fjalë për xhamat e thyem, meqë unë isha atypari gati tanë kohën

(tekst pak i gjatë, të falemnderës për durimin)

Sot protesta në Prishtinë ishte masive dhe madhështore, e organizueme në mënyrën ma të mirë të mundshme, nga aktivistët ma të devotshëm, të cilët meritojnë çdo lëvdatë edhe një falënderim të veçantë.
Duke e marrë parasysh numrin e njerëzve edhe mllefin e akumuluem në ta, protesta ishte e qetë dhe paqësore, përpos incidentit të xhamave në fund, për të cilin nuk po shkruej me e arsyetue, por gjithsesi me e sqarue edhe dënue.
Kur nisën disa individa me gjuejtë gurë prej monumentit të Skënderbeut drejt ndërtesës së qeverisë, unë e lash manifestimin aty ku isha te bina, edhe shkova me provue me e qetësue situatën te ndërtesa. Aty pash njerëz të mllefosun tej mase, pash grupe tifozash edhe pash fytyra të dyshimta. Secili prej tyne e kishte arsyen e tij me gjuejtë gurë:
I mllefosuni s'u mërzitke për asnjeri. Iu kish mbushë kupa edhe kish ardhë me e zbrazë, i bindun se ky ishte momenti i vetëm që mundet me i nxjerrë hajnat nga ajo ndërtesë. Kësi ishin pak, jo ma shumë se 4 ose 5, por ishin të flaktë. Me secilin prej tyne kam folë koxha gjatë.
Tifozat, përpos se këtë e kanë njifarë mënyrë të të shprehunit, e përdornin edhe me e zbrazë mllefin që edhe ata e kishin akumulue.
Fola me gati krejt të këtyne dy grupeve. Ishte gati e pamundun me i bindë me u ndalë, por që shumica u ndalën.
Grupi i tretë ishte ai i fytyrave të dyshimta që gjuejshin gurë, mundoheshin me nxitë konflikte edhe iknin prej meje gjithë kohën. Me të tillë jam përballë në çdo protestë. Prej meje ikin si prej dreqit. Ata s'kanë as mllef, as burrni, as kauzë. Ata kanë rroga për çdo trazinë që e shkaktojnë.
Në mesin e tyne është identifikue edhe truproja i njanit prej Ministrave të PDK-së. Kam me e publikue çdo detaj posa të më konfirmohet kjo informatë.
Me të mllefosunit edhe tifozët patëm komunikim shumë njerëzor edhe deri diku arritëm, bashkë me aktivistë të tjerë të Lëvizjes, me e qetësue situatën. Ata ishin të kuptueshëm, por, me dhembje e them, kishin mllef që nuk e kisha pa në njerëz qysh prej 1999-tës. Asi që t'i nxjerrke lotët nga sytë posa i shkëmbejshe dy llafe me ndonjanin prej tyne.
Sa ka zgjatë protesta, gurë janë hudhë shumë pak, edhe dëmet ishin minimale. Situata eskaloi kur protesta mori fund, e unë mbeta edhe nja 30 minuta të tjera duke u mundue me i ndalë njerëzit mos me gjue ma gurë.
Gjëja e parë që e vërejta pas protestës ishte se tash u banë shumë ma shumë fytyra të dyshimta që qëllim kryesor e kishin me demolue. Atyne nuk iu interesonte që protesta kishte përfundue, e as nuk u interesonte për plot që u rreshtuen te gilinderat, për mos me i lanë me e gjuejtë policinë. Nuk u interesonte as për aktivistat e Lëvizjes. Ishte e qartë që direktivat e tyne ishin veç me thye xhama.
Prej përvoje, kur kishte qesi konfliktesh në secilën protestë tjetër në mes të policëve edhe aktivistave të Lëvizjes, këta të fundit e hajshin dajakun menjëherë. Shpesh, hala pa nisë protesta mirë.
Ndërsa sot, policia i la ata njerëz të panjohun me gjuejtë pa ndalë së paku nja 1 orë e gjysëm pas proteste. Nja 30 minuta isha unë vetë aty duke u mundue me i ndalë, edhe e pash me sytë e mi, e kjo në vete tregon diçka të organizueme me qëllim të caktuem. Nuk ka spjegim tjetër.
Ma pas, kur u largova nga aty, meqë, kur përfundon protesta edhe vazhdon vandalizmi, atëherë iu takon organeve të rendit me u marrë me vandalët, e jo organizatorëve të protestës, dëgjova për rrëmujën në njanin prej lokaleve aty afër.
Prej asaj që u tha, nja 5-6 veta kishin dalë prej lokalit (ku edhe ai truproja i Ministrit paska qenë, sipas do personave që e njihnin), i kishin ngacmue disa që kishin qenë duke gjuejtë gurë edhe ishin kthye në lokal. Këta të ngacmuemit pastaj i paskan ndjekë te lokali, me ua kthye ngacmimin.
Se çka ka ndodhë ka pak randësi. Me randësi është se provokime ka pasë, të cilat si pasojë i kanë shkaktue dëme pronave private, për të cilat dëgjova me keqardhje të madhe.
Policisë tek atëherë iu ka kujtue me reague, duke mos qenë në gjendje me i shpërnda 30 - 40 veta që i bajshin ndërtesës zullum për 1 orë e gjysëm, e të cilët vazhduen edhe pak pastaj nëpër shesh.
Për fund, edhe ky është ekskluzivisht mendim i imi personal si qytetar i Kosovës: Do tipa që i thyen do xhama, e që qartë ishin të dërguem me e ba atë gja, nuk munden me e zbehë një protestë aq madhështore edhe të sinqertë sikur ajo që ndodhi në Prishtinë sot, posaçërisht kur incidenti nuk ndodhi gjatë, por MBASI protesta mori fund.
Fundi i fundit, me ba me ia shti lapsin, krejt xhamat e krejt qasaj ndërtese nuk kushtojnë ma shumë se, po e zamë, gjysëm milioni. Me e dijtë që kjo është mënyra me e ndalë hajninë shumëmilionëshe që e ban qeveria, nesër dal vetë edhe e thej çdo xham me qeto dy duert e mia. Bile e kisha shpëtue vendin tim, por, fatkeqësisht, e di se nuk është kjo mënyra.
Prandej, i dashtun qytetar, mos bjer pré e lojnave të SHIK-ut edhe tinzarëve të LDK-së, sepse pikërisht me qeto lojna këta po e mbajnë pushtetin qe 15 vjet, e si duket ka ardhë koha me ecë edhe këta p'ej shpije.
Të marten, nëse nuk shkarkohet Jablanoviqi edhe nuk kthehet ligji për Trepçën, protesta duhet vazhdue. Patjetër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat