Në Prishtinë protesta, Mustafa në Pejë e Thaçi në Arabi

Kosova

Në Prishtinë protesta, Mustafa në Pejë e Thaçi në Arabi

Më: 24 janar 2015 Në ora: 08:22

Gjatë kohës kur në Prishtinë mbahet protestë gjithëpopullore me kërkesa drejtuar Qeverisë, Kryeministri Isa Mustafa dhe Zv/Kryeministri Hashim Thaçi nuk ndodhen në Kryeqytet.

Në kohën e protestës së paralajmëruar që mbahet sot në Prishtinë, në orën 14:00, me kërkesa për shkarkimin e Ministrit Aleksandar Jablanoviqit dhe në mbrojtje të Trepçës, dy krerët e koalicionit qeverisës, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi nuk do të ndodhen në Kryeqytet.

Kryeministri Isa Mustafa, siç është bërë e ditur nga një njoftim i LDK-së, do të ndodhet në Pejë.

Ai do të marrë pjesë në manifestimet e Degës së LDK-së në Klinë (ora 10:00) dhe Degës së LDK-së në Pejë (ora 12:00), të cilat shënojnë 25-vjetorin e themelimit të LDK-së, ndërsa në orën 13:00 në një vizitë të Poliklinikës Stomatologjike në Pejë.

Zv/Kryeministri Hashim Thaçi, ndërkaq, është nisur mbrëmjen e së premtes për në Arabinë Saudite, për ngushëllime për vdekjen e Mbretit Abdullah.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat