Kuvendi i Komunës barti mjetet vetjake nga viti 2014 në këtë vit

Kosova

Kuvendi i Komunës barti mjetet vetjake nga viti 2014 në këtë vit

Më: 23 janar 2015 Në ora: 13:40

Kuvendi i Komunës, drejtuar nga kryesuesi, Bislim Imeri e në prani të kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri dhe nënkryetarit Safet Kamberi, ka mbajtur sot seancën e jashtëzakonshme, në të cilën shqyrtoi Propozim-vendimin për bartjen e mjeteve vetjake nga viti 2014 në këtë vit. Me shumicë votash këshilltarët komunal miratuan këtë propozim-vendim.

Drejtori i Drejtorisë së Financave, Nysret Maxhera, tha se kjo seancë e jashtëzakonshme po mbahet pas shkresës që kemi marrë nga Ministria e Financave për zbatimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015.

“Sipas kësaj shkrese, bilancet e pashpenzuara të të hyrave vetjake komunale nga viti fiskal 2014 dhe nga vitet paraprake, të cilat janë të depozituara në Fondin e Kosovës dhe të regjistruara në SIMFK, si ndarje buxhetore për komunat, të barten në vitin fiskal 2015, sipas programeve dhe nënprogrameve buxhetore të kategorive ekonomike të shpenzimeve”, nënvizoj Maxhera.

Bazuar në instruksionet e dhëna në këtë shkresë, Maxhera ka arsyetuar rritjen e buxhetit në kategorinë e Investimeve Kapitale, duke u bazuar në obligimet e bartura nga vitet paraprake.

Me miratimin e Propozim–vendimit për bartje të mjeteve vetjake, do të bëhet financimi i dy projekteve të Drejtorisë për planifikim dhe Urbanizëm, ai për furnizimin me material ndërtimor në shumë prej 23.288,44 euro dhe projekti për “Liqenin Akumulues”, në shumë prej 68.056,00 euro.

Po ashtu, këto mjete të bartura do të shpenzohen edhe për kryerjen e borxheve ndaj operatorëve, të krijuara gjatë vitit të kaluar për realizimin e disa projekteve në infrastrukturë nga Drejtoria për Shërbime Publike dhe infrastrukturë, siç janë ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit në fshatin Kodër, asfaltimi i rrugëve në qytet, ndërtimi i rrethrrotullimeve, mirëmbajtja dhe zgjerimi i ndriçimit publik, ndërtimi dhe mirëmbajtja e varrezave dhe lapidarëve etj.

Pas një debati të gjerë, këshilltarët me shumicë votash miratuan Propozim -vendimin e lartpërmendur./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat