Edita Tahiri: Për Trepçën s’flasim në Bruksel

Kosova

Edita Tahiri: Për Trepçën s’flasim në Bruksel

Më: 23 janar 2015 Në ora: 09:15

Ministrja e Shtetit, Edita Tahiri, ka thënë se s’ka kurrfarë mundësi të diskutohet për Trepçën në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ka thënë se vijat e kuqe të vendosura në dialogun me Serbinë nuk lejojnë të hapen tema të tilla. Ministrja Tahiri në një intervistë për media ka thënë se as Kushtetua nuk e lejon hapjen e temave që kanë të bëjnë me pasurinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

"Serbia vazhdimisht tenton të hap tema në të cilat sheh mundësi të përfitojë sepse Serbia e ka mbajtur Kosovën të kolonizuar për përfitime. Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran. Kushtetuta e Republikës së Kosovës e bën të qartë se pasuritë shtetërore dhe sovraniteti janë prona të shtetit të Kosovë të garantuara me Kushtetutë. Ne si Qeveri në këtë dialog respektojmë vijat e kuqe dhe Kushtetutën e Kosovës që nuk lejojnë që në këtë dialog të mos bisedohet për çështje që prekin sovranitetin dhe integritetin territorial", ka theksuar ajo.

Sipas saj, si Qeveri e Republikës së Kosovës me Ligjin i cili u aprovua në Parlament ne shpëtuam Trepçën sepse ndalëm procesin e falimentimit.

"Ky ishte një sukses edhe i Qeverisë dhe i Parlamentit të Kosovës që këtë kompani ta ndalim nga falimentimi. Sa i takon fazës së ardhshme të kalimit në kompani publike, unë, mendoj se duhet të bëhet një analizë dhe një strategji e cila do të përfshinte vendimet dhe qëndrimet e gjithë përfaqësuesve institucional por edhe ekspertëve të Shtetit të Kosovës, të cilët janë ekspertë në këtë lëmi, të cilët pastaj mund të nxirrnin një strategji për transformimin e Trepçës në kompani publike. I besoj ekspertizave dhe strategjive që dalin nga një angazhim serioz pa u ngutur. Ky angazhim duhet të respektojë Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe respekton pra dijeninë tonë", ka deklaruar Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat