Mustafa: Kosova më e sigurt se kampet e azilantëve

Kosova

Mustafa: Kosova më e sigurt se kampet e azilantëve

Nga: H.Orana Më: 25 dhjetor 2014 Në ora: 09:09

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në një shkrim të publikuar në Facebook ka thënë se Kosova është me e sigurt se sa kampet e azilantëve në shtete të ndryshme evropiane. Ai ka thënë se qytetarët me mund dhe djersë kanë fituar pasurinë e tyre, që po ua marrin matrapazët shqiptarë e serbë me qëllim të zbrazjes së Kosovës.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e kryeministrit, Mustafa:

“Kosova është më e sigurt sesa kampet e azilantëve në Hungari, Francë, Austri, Gjermani e gjetiu. Shtëpitë tona, këtu janë më të mira e më të dinjitetshme sesa tendat dhe dyshekët në halla sportive e në fusha. Ju i keni fituar me mund e djersë paratë dhe pasurinë, për t’ua dhënë matrapazëve dhe ndërmjetësuesve shqiptar e serb, të cilët me dëshirë do ta boshatisnin Kosovën për interesa të tyre, ashtu siç serbet i bënë bosh shumë pjesë shqiptare gjatë historisë sonë.

Ju siguroj se do të punoj me përkushtim që Qeveria të hap perspektivë për zhvillim ekonomik dhe punësim në vendin tonë, në qytetet e në fshatrat tona. Ardhmërinë tonë duhet të ndërtojmë këtu.

Kemi mjaftë probleme, por ato nuk do ti zgjidhim duke ikur nga to dhe duke e marrë botën në sy, por duke u ballafaquar me to. Programi ynë qeverisës dhe përkrahja që e kemi nga komuniteti ndërkombëtar krijon mundësi për hapje të vendeve të punës për të rinj, për shkollim më të mirë e perspektivë të gjeneratave të reja.

Jam i bindur se së shpejti mund të kemi liberalizimin e vizave dhe njerëzit tanë do të dalin e do të shohin botën, të lirë si të tjerët, pa shitë shtëpi, tokë e bagëti dhe do të kthehen të punojnë në vendin e tyre dhe në pronat e tyre.

Këtë gjendje të rëndë nuk e kalojmë duke bërë me gisht e duke prodhuar fajtorë, por do ta kalojmë nëse jemi bashkë, të gjithë, institucionet shtetërore, mediat, shoqëria civile, sepse demi nga ky proces është larg më i madh sesa pasha e akuzave dhe kritikave”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat