Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, është takuar sërish të hënën me përfaqësuesit e lagjes veriore “Kroi i Vitakut”, të cilët e kanë njoftuar për pengesat që janë shfaq prapë rreth ndërtimit të shtëpive të tyre, përkatësisht për urdhëresën e inspekcionit të Komunës në veri të Mitrovicës që punët të ndërpriten.
Nazmi Ismjali, banor i kësaj lagje dhe përfitues nga Fondi “Ndihmo edhe ti”, për ndërtimin e shtëpisë, i tha kryetarit Bahtiri, se gjatë ditës së hënë, inspektorët serbë të komunës në veri të Mitrovicës, dy herë kanë qenë në vendin ku kishte filluar rindërtimi dhe kanë kërkuar ndërprerjen e punëve.
“Së pari afër vendit ku po punonim erdhën një veturë me targa “KM”, në ët cilën shkruante “Inspekcija” në cilirlicë (inspekcioni), që ishin inspektorë të komunës paralele serbe. Ata i ftuan inspektorët e Komunës së re të formuar nga institucionet e Republikës së Kosovës, të cilët pa u vonuar fare erdhën dhe kërkuan ndërprerjen e punëve, duke më dhënë një kërkesë me shkrim, por pa vulë. Meqë ne nuk e përfillëm kërkesën e tyre, më pastaj erdhën sërish inspektorët dhe policia e Kosovës, ët cilët na urdhëruan të ndërpresim punën”, tha ai.
Sipas tij, policia i kishte thënë se duhet ët shkoj në Komunë te kryetari Rakiq dhe të bisedoj me të, por ai nuk kishte qenë fare në zyrë kur kishte arritur atje. Ismajli tha se ishte takuar me Adriana Hoxhiqin, e cila i kishte thënë se ajo nuk është në dijeni për këtë veprim të inspekcionit.
Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, ju ka thënë banorëve shqiptarë të “Kroit të Vitakut”, të cilët po pengohen në ndërtimin e shtëpive të tyre, të shkatërruara gjatë dhe para lufte nga ekstremistët serbë, se nuk duhet të bien pre e provokimeve dhe veprimeve të njerëzve që kanë për qëllim tensionimin e gjendjes, e cila ishte relaksuar dukshëm kohëve të fundit.
“Kjo që sërish po ndodhë në lagjet veriore të qytetit, ku shqiptarët po pengohen të rindërtojnë shtëpitë e tyre, aty ku kanë qenë për dekada të tëra dhe të kthehen për të jetuar në to, është shkelje e rëndë e të drejtave dhe lirive të njeriut. Askush nuk ka të drejtë të veproj në kundërshtim me ligjet dhe konventat ndërkombëtare. Shqiptarët kanë të drejtë të kthehen në pronat e tyre prej nga janë përndjekur me dhunë dhe të ndërtojnë shtëpitë e tyre që u janë shkatërruar nga ekstremistët dhe ata sigurisht se do të kthehen patjetër”, ka thënë kryetari Bahtiri.
Ai lidhur me pengesat e pakuptimta dhe johumane që po iu bëhen shqiptarëve në “Kroin e VItakut”, ka biseduar përmes telefonit edhe me kryetarin e Komunës në veri të Mitrovicës, Nenad Rakiq, nga i cili ka kërkuar që të lejoj punët për ndërtimin e shtëpive të filluara.
“Ju zoti Rakiq duhet të punoni drejt dhe sipas ligjit. Të gjithë qytetarët duhet t’i trajtoni njëjtë dhe nuk do të duhej të bëni dallime, por fatkeqësisht ju po veproni kështu. Përderisa serbët kanë shkelur kaherë marrëveshjen për shtyrjen e ndërtimeve deri në një kohë tjetër, duke ndërtuar dhejtëra shtëpi për serbët nga Kroacia e gjetiu, madje edhe ndërtesa shumëkatëshe, ju zoti Rakiq nuk keni ndërmarrë asgjë për t’i ndërpre ato punime, kurse sot po veproni ndryshe dhe po kërkoni ndërprerjen e punëve nga ana e shqiptarëve, gjë që është e papranueshme dhe johumane”, i ka thënë Goran Rakiqit, kryetari Bahtiri.
Kryetari Bahtiri ka kërkuar nga Rakiqi, që si kryetar i Komunës në veri të Mitrovicës që është, të ketë qëndrim të njëjtë ndaj të gjithë qytetarëve që jetojnë atje dhe të lejoj ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve, si dhe të përkujdeset që ata të kthehen sa më shpejt në to.
Po ashtu kryetari Bahtiri ju ka bërë apel shqiptarëve të “Kroit të Vitakut”, që të ruajnë gjakftohtësinë dhe qetësinë, me qëllim që ata të mos jenë shkaktarë të ngritjes së tensioneve, pasi që është i bindur se çdo gjë do të zgjidhet në mënyrë paqësore e me dialog dhe se shtëpitë e tyre do të ndërtohen aty ku kanë qenë. Ai i ka garantua edhe kryetarit të Komunës në veri të Mitrovicës, Goran rakiq, se të gjithë serbët që jetojnë atje dhe që i kanë pronat e tyre në pjesën jugore të qytetit, mund të kthehen lirisht në to dhe se nuk do të kenë as më të voglin problem.
Në orët e pasdites kryetari Bahtiri ka biseduar përmes telefonit me përfaqësues të disa ambasadave në Prishtinë, ët cilët i ka njoftuar me problemet e shfaqur ë veri dhe ka shpreh brengën e tij dhe ët qytetarëve shqiptarë që nuk po lejohen t’i ndërtojnë shtëpitë e tyre. Përfaqësuesit e ambasadave kanë kërkuar nga kryetari Bahtiri që të ndikoj tek shqiptarët e “Kroit të Vitakut”, që të keni durim dhe maturi, në mënyrë që gjendja të mos përkeqësohet, thuhet në komunikatën e Komunës së Mitrovicës.