Këtë javë emërohen zëvendësministrat

Kosova

Këtë javë emërohen zëvendësministrat

Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 10:57

Organet Drejtuese të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) pritet që të mblidhen këtë javë për të vendosur për emrat e zëvendësministrave që do të jenë pjesë e qeverisë, e cila drejtohet nga Isa Mustafa.
Nënkryetari i PDK-së, njëherësh shef i grupit parlamentar i kësaj partie, Adem Grabovci, ka bërë me dije për “Epokën e re” se gjatë kësaj jave do të funksionalizohet qeveria e re me emërimin edhe të zëvendësministrave nga PDK-ja, LDK-ja dhe minoritetet.

“Në organet drejtuese të PDK-së ende nuk është diskutuar për emrat e zëvendësministrave të kësaj partie, të cilët do të jenë pjesë e Qeverisë së Kosovës. Besoj se gjatë kësaj javë do të mblidhen organet drejtuese të PDK-së dhe do të vendosin se kush nga PDK-ja do të bëhet zëvendësministër”, ka deklaruar Grabovci. Ai ka bërë me dije se brenda PDK-së nuk është diskutuar për numrin e zëvendësministrave. Grabovci ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk do t’i ketë 70 zëvendësministra siç është duke u diskutuar në opinion publik. “Ende nuk është diskutuar për numër të saktë. Por, nuk do të jenë 70 zëvendësministra. Javën që po hymë do të kompletohet Qeveria edhe me emërimet e zëvendësministrave. Nuk mund të shtyhet më shumë se edhe këtë javë”, ka thënë Grabovci.

Edhe nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, ka bërë me dije për “Epokën e re” se ende nuk kanë diskutuar për emrat e zëvendësministrave të kësaj partie që do të jenë pjesë e qeverisë Mustafa, por ka deklaruar se gjatë kësaj jave pritet të mblidhen organet e partisë për të vendosur për këtë çështje.

“Ne ende nuk jemi marrë me këtë punë. Nuk kemi folur as për emrat e zëvendësministrave të mundshëm. Ende nuk ka përfunduar kjo çështje, por besoj se brenda kësaj jave do të takohemi dhe do të vendosim për kompletimin e qeverisë edhe me zëvendësministra”, ka deklaruar Rugova.

Sikurse Grabovci, edhe Rugova ka deklaruar se qeveria e drejtuar nga Isa Mustafa nuk do t’i ketë 70 zëvendësministra. “Jo, nuk do t’i ketë. Të shohim. Ende nuk jemi mbledhur. Kur të mblidhemi vendosim”, ka është shprehur Rugova.

Qeveria e re Kosovës, e cila për herë të parë drejtohet nga LDK-ja, është votuar në Kuvend më 9 dhjetor të këtij viti, por ende nuk ka emëruar zëvendësministrat. Qeveria Mustafa ka 21 ministri dhe është më e madhja prej qeverive të pasluftës. Sipas marrëveshjes së 8 dhjetorit të arritur në mes të PDK-së dhe LDK-së, parashihet që në çdo ministri të emërohen së paku nga dy zëvendësministra, njëri do të jetë nga partia e Hashim Thaçit. tjetri nga ajo e Isa Mustafës. Ndërsa në ministritë të cilat drejtohen nga minoritetet do të jenë nga tre zëvendësministra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat