Institucionet humbin miliona euro nga përfaqësimi gjyqësor

Kosova

Institucionet humbin miliona euro nga përfaqësimi gjyqësor

Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 10:19

Bazuar në numrin aktvendimeve të gjykatave dhe raportin e Auditorit Gjeneral institucionet shtetërore, në nivel qendror dhe lokal humbin miliona euro në vit në kontestet gjyqësore me palët private.

Në të shumtën kjo raportohet se vjen si rezultat i mbrojtjes së dobët dhe korruptimi i përfaqësuesve ligjor të shtetit.
Nga 122 konteste gjyqësore ku i kanë përfaqësuar institucionet qendrore e lokale, vetëm këtë vit, përfaqësuesit gjyqësor të shtetit kanë humbur në 67 prej tyre, pa përfshirë rastet që janë në proces.
Aktgjykimet e publikuara në faqen e Ministrisë së Drejtësisë, flasin se në të shumtën e rasteve ato i takojnë bizneseve, që kanë arritur të fitojnë, kundrejt segmenteve shtetërore. Sipas aktgjykimeve shumica e këtyre bizneseve del se kanë pasur kontrata me institucionet dhe në të shumtën kanë fituar.
Ndërsa në rastet ku paditë ndaj institucioneve janë hedhur ose ku shteti ka fituar janë kontestet me persona fizik, që kanë paditur institucionin për shkelje të supozuara të të drejtave të tyre. Rrjedhimisht del se bizneset po fitojnë ndaj institucioneve publike.
Për nivelin qendror Ministria e Drejtësisë ka një Divizion për përfaqësim gjyqësor. Kryesuesi i këtij Divizioni, Fekë Sadikaj, ka thënë se nuk ka kohë për t’u përgjigjur rreth nivelit të lartë të humbjes së kontesteve nga institucionet dhe mënyrës së përfaqësimit gjyqësor.

“ Është fundi i vitit e beso që po kemi shumë punë. I keni në sajt shumicën e aktgjykimeve mundeni me i pa vetë ”,i ka thënë Sadikaj, Radio Kosovës.
Delushe Halimi shefe e Departamentit për Çështje Administrative në Gjykatën Themelore në Prishtinë, që zgjidh ekskluzivisht kontestet e institucioneve me palët, ka mohuar që ka tendencë për dënim të institucioneve. Ajo i ka thënë Radio Kosovës se i ka dërguar një shkresë Ministrisë së Drejtësisë, e cila përmban mangësitë e përfaqësimit ligjor. Por, ajo nuk ka qartësuar se ku konsistojnë këto mangësi. As Ministria e Drejtësisë nuk ka sqaruar përmbajtjen e vërejtjeve që ka bërë Gjykata rreth përfaqësimit ligjor.

Aktvendimet e gjykatave dhe raporti i Auditorit Gjeneral, ka nxjerr një situatë edhe më e keqe në nivel lokal, sa i përket humbjeve në kontestet gjyqësore. Miliona euro rezulton se paguhen për kontestet gjyqësore që humbin komunat, në të shumtën si rezultat i angazhimit të dobët të përfaqësuesve ligjor apo avokatëve në mbrojtje të institucionit.
Një përfaqësues ligjor, avokati i komunës së Skenderajt Fatos Sejdijaj thotë se humbja e kontesteve nuk do të thotë domosdoshmërish se përfaqësimi ka qenë i dobët, por që palët kanë pasur të drejtë. “ Ka raste kur palëve u është shkelur e drejta. Kjo nuk do të thotë se përfaqësuesit ligjor të shtetit ishin të dobët apo abuzues në detyrën e përfaqësimit”, i ka thënë Sejdijaj, Radio Kosovës.
Sekretari i përhershëm i Ministrisë e Pushtetit Lokal, Besnik Osmani, ka thënë se nuk ka mekanizëm që kontrollon kualitetin e përfaqësuesve ligjor të komunave. Në këtë mënyrë, sipas tij, përfaqësimi ligjor është fushë e pakontrolluar. “Ministria e Pushtetit Lokal nuk ka instrument për, vlerësim, verifikim apo mbikëqyrje të përfaqësimit ligjor të komunave”, i ka thënë Osmani, Radio Kosovës.
Qëndresa Mulaj nga Zyra e Auditorit Gjeneral ka thënë se ky institucion monitorin financat që shkojnë për pagesat e palëve që kanë fituar në gjykatë, por jo edhe mënyrën e përfaqësimit gjyqësor dhe shkeljet e mundshme.

“Në kuadër të procesit të auditimeve të rregullsisë një pjesë të punës tonë e fokusojmë edhe nëse procese të caktuara janë kryer në pajtueshmëri me kornizën ligjore. Por, ne nuk kemi bërë ndonjë analizë të veçantë lidhur me mbikëqyrjen e kontesteve gjyqësore të institucioneve lokale apo qendrore apo përfaqësimit ligjor të tyre në raste të ndryshme”, i ka thënë Mulaj, Radio Kosovës.
Betim Musliu nga Instituti për Drejtësi thotë se ekziston niveli i dobët dhe abuziv i përfaqësimit gjyqësor të institucioneve.

“ Ekzistojnë shumë raste ku për pasojë ka pasur shumi humbje të institucioneve publike për shkak të korrupsionit të avokatëve institucional”, ka thënë Musliu.

Raporti vjetor i punës së prokurorisë në dy vitet e fundit ka treguar se dhjetëra avokatë të komunave janë gjetur të jenë përfshirë në korrupsion duke dëmtuar institucionin që ata obligohen ta mbrojnë.
Ndonëse pjesa më e madhe e humbjeve të buxhetit të shtetit nga kontestet gjyqësore regjistrohen nga Auditori Gjeneral, ligjërisht asnjë segment shtetëror nuk kontrollon mirëfilli natyrën e përfaqësimit ligjor të institucioneve. Në këtë mënyrë mbikëqyrja e kontesteve ku paditës ose i paditur është institucioni shtetëror mbetet në fushëveprimin e askujt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat