Fati i koalicionit qeverisës i varur nga zgjedhjet në LDK

Kosova

Fati i koalicionit qeverisës i varur nga zgjedhjet në LDK

Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 10:12

Jetëgjatësia e koalicionit qeverisës në mes të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të varet shumë prej zgjedhjeve të brendshme në partinë e Isa Mustafës, zgjedhje të cilat pritet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.

Nëse Mustafa nuk arrin të fitojë besimin e anëtarësisë së tij edhe për një mandat në krye të LDK-së, atëherë fati i koalicionit PDK-LDK do të vihej në pikëpyetje. Kjo për faktin se disa zyrtarë të lartë në LDK, të cilët janë shprehur hapur kundër koalicionit me PDK-në e Hashim Thaçit, mund të marrin mbështetje nga anëtarësia për ta marrë timonin e LDK-së.

E ardhja e këtyre të fundit në krye të partisë sipas njohësve të çështjeve politike mund të ndikonte në prishjen e koalicionit të tanishëm qeverisës. Sipas tyre, të pakënaqurit në LDK nuk do të qëndrojnë duarkryq, por do të angazhohen fortë për ta rrëzuar Isa Mustafën nga kreu i kësaj partie.

Analisti Nexhmedin Spahiu, vlerëson se nëse Isa Mustafa nuk zgjidhet kryetar i kësaj partie, atëherë koalicioi do të prishet dhe vendi do të hynte prapë në një krizë politike, e ngjashme me atë që ndodhi pas zgjedhjeve parlamentare të 8 qershorit.

Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës, pritet që në pranverën e vitit të ardhshëm të mbajë kuvendin e saj zgjedhor, shkruan gazeta Tribuna.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat