Dialogu rinis me gjyqësorin dhe Asociacionin

Kosova

Dialogu rinis me gjyqësorin dhe Asociacionin

Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 08:48

Funksionimi i gjyqësorit në veri dhe formimi i Asociacionit të Komunave Serbe pritet të jenë temat boshte të takimit në nivel kryeministrash ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, i pari që nga formimi i qeverisë së re të Kosovës.
Në atë takim, pritet që të diskutohen edhe tema tjera që do të vihen në agjendën e bisedimeve, por gjyqësori në veri dhe Asociacioni i Komunave Serbe, sipas burimeve të gazetës Tribuna, do të dominojnë këtë takim.

Në takimet paraprake, Beogradi e kishte dështuar arritjen e marrëveshjes për gjyqësorin në veri, ngaqë synonte që atje të vendoste një sistem gati të pavarur dhe të ndarë gjyqësor.

Për gjyqësorin në veri, në bisedimet e mëhershme të udhëhequra nga baronesha Catherine Ashton si zgjidhje kompromisi ishte ofruar opsioni që Gjykata Themelore e Mitrovicës të përfshinte shtatë komuna, por të kishte edhe degët nëpër komunat me shumicë serbe.

Megjithatë, marrëveshja nuk ishte finalizuar, ngaqë pala serbe kishte ofruar zgjidhjen sipas të cilës, Gjykata Themelore në Mitrovicë do të mbulonte komunat me shumicë serbe në veri, ku përfshihen, Mitrovica e veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku e Zveçani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat