Salihaj: Në projektbuxhetin e vitit 2015, u favorizuan komunat me shumicë serbe

Kosova

Salihaj: Në projektbuxhetin e vitit 2015, u favorizuan komunat me shumicë serbe

Nga: H.Orana Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 13:56

Nesër në seancën e Kuvendit do të votohet buxheti i shtetit. Shumë deputetë janë në dilemë nëse do e votojnë apo jo këtë buxhet.

Kështu deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj ka thënë se ende nuk është i sigurt nëse do e votoj apo jo. Ai thotë se është bërë një diskriminim i paskrupullt sa i përket investimeve.

“Ne e kemi marrë shumë vonë Projektbuxhetin, kështu që ende jam duke e analizuar, ende nuk kam vendosur se a do ta votoj apo jo. Nga ajo që kam analizuar deri më tash, kam vërejtur se është bërë një ndarje e padrejtë në aspektin regjional, Ferizaj është diskriminuar në mënyrën më të paskrupullt sa u përket investimeve, përkundër faktit se Ferizaj, pas Prishtinës është komuna që i jep më së shumti buxhetit të Kosovës”, thotë Salihaj për “Bota sot”.

Ai thotë poashtu se në këtë projektbuxhet janë favorizuar komunat me shumicë serbe, ku me 50 mijë banorë, janë barazuar me dy milionët tjerë shqiptarë. Salihaj thotë se diskriminime janë bërë në fusha të ndryshme, andaj do e votoj në lexim të parë, me kusht që të bëhet përmirësime.

“Në anën tjetër, janë favorizuar jashtë çdo mase katër komunat e veriut me popullsi shumicë serbe, të cilat kanë rreth 50 mijë banorë, sa që në disa pozicione, kanë marrë barabartë me dy milionë banorë të gjithë Kosovës. Sa u përket gjykatave dhe prokurorive, nuk është paraparë asnjë rritje, që do të thotë se nuk mund të presim asnjë përmirësim në çështjen e sundimit të ligjit. Unë, duke marrë parasysh vonesat shumë të mëdha, paraprakisht kisha vendosur që ta votoj Projektbuxhetin në leximin e parë, por vetëm me kushte që ta marr një premtim të qartë se do të korrigjohet në leximin e dytë”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat