Qemail Mustafa: Edhe për fajin e Qeverisjes së PDK’së po ikin qytetarët

Kosova

Qemail Mustafa: Edhe për fajin e Qeverisjes së PDK’së po ikin qytetarët

Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 12:26

Ish kryetari i Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa është shprehur publikisht rreth largimit të familjeve e të rinjve të shumtë drejtë vendeve të Bashkimit Evropian. Qemajl Mustafa për tërë këtë ikje të dhimbshme ka fajësuar qeverisjen 14 vjeçare e cila sipas tij nuk ka ditur ta trajtojë si duhet shoqërinë e Kosovës.

Lexojeni të plotë reagimin e Qemajl Mustafës në facebook

Për ikjen nga Kosova të të rinjëve tanë dhe të familjeve tona dikush doli n'gazeta e n'televizor e tha që është ikje masive. Këtë konstatim e bënë pa u bazuar në ndonjë statistikë dhe pa krahasimin e numrave por as të periudhave kohore pra, ia futën kot dhe kuturu.

Dikush tjetër doli (bile edhe kryeministri Mustafa) dhe u mundua që t'i thotë shkaqet e ikjes jashtë e ky i pari i ekzekutivit tonë me lehtësi konstatoi që shkaktari i lëshuarjes "masive" të Kosovës nuk është vetëm papunësia po siç tha ai "jeta më e mirë dhe perspektiva më e mirë jashtë...". Sido që të jetë, edhe pa numra të saktë, edhe pa krahasime periudhash, edhe pa vlerësime meritore, edhe me mediat që (kur ju duhet) mizën e bëjnë buall po buallin nuk e shohin (kur ju hyn në punë kjo "verbëri"), një gjë mbetet llaserikisht e saktë: TË RINJTË DHE FAMILJET E KOSOVËS PO IKIN NGA KOSOVA NGA PAKNAQËSIA ME TRAJTIMIN DHE ME JETËN KËTU, NGA PAKËNAQËSIA E QEVERISJES ME KËTË VEND PËR KËTO 14 VITE.

Pakënaqësia kolektive çfarë po manifestohet te ne (ende në heshtje) përherë shkaqet i ka komplekse, më të shumta e më të thella se që ne i mendojmë. Pakënaqësia mund të jetë pamundësi për mbijetesë, pamundësi për edukim, pamundësi për punësim, pamundësi për socializim, pamundësi për krijim e për argëtim...

Krejt kësaj në themel i rrinë një e keqe larg më e madhe e ajo është padrejtësia. E padrejtësia te njeriu shkakton pasiguri dhe iritim të madh e të padurueshëm përherë. E dimë që Kosova është e pamundur të na sistemojë e kënaqë të gjithëve meritueshëm. Por, e keqja e madhe në Kosovën tonë "të lirë", "demokratike" e "sovrane" është se qasje në të mirat që ofron shoqëria e saj kanë para së gjithash fëmijët dhe familjet e "bekuara" të politikajve të fortë, të intelektualëve "kontributëdhënës" e me "nam", të biznesmenëve oligarkë, të atyre që janë "nën dardhë" e që pa kusht e pa skrupulla i shërbejnë sistemit çfarëdo qoftë ai. Te tjerët (masa, populli) anipse janë shumicë absolute dhe shpesh larg më të merituar nuk i han pazari sepse "toka pllamë pllamë është.." - nuk është vakti i tyre, nuk është hëna e tyre , yjet nuk janë në anën e tyre... Keq shumë.

Dikush doli para dy netësh n'televizor (për fat të keq e kishte librezën e përkatësisë time politike, por ishte lart me funksion dhe me "nam" nga e kaluara). U krekos për të satën herë për autorēsi tē krijimit të mamuth-koalicionit sikur e bëmë namin me të, por në të njëjtin emision e pranoi me cinizëm që fajtorët për këtë gjendje sociale, politike dhe ekonomike e shpirtërore të kosovarëve tha i kemi ne që e kemi udhëheqë këtë vend.

Mundohej me qenë kinse i sinqertë dhe me ia shite pupullit edhe njëherë "dushkun për gogla"... Pse jo? E din mirë ai që kjo i shitet këtij populli që është fukara me të gjitha. E ka të sprovuar ai shumë herë. Thoshte që dikush n'këtë vend vazhdimisht ka prodhue mjegull dhe i ka bërë roje mjegullës po ai vetë sa mundej prodhonte mjegull atë natë. Keq shumë.

Një tjetër "yll" i politikës së Anamoravës doli e apeloi si mendje e "ndritur" që është dhe i tha arsyet pse të rinjtë e familjet tona nuk duhet të ikin jashtë. Do të doja të besoja se iu ka bindur së paku një i ri apo një familje apelit të tij. Një alamet ministri i posaemëruar doli dhe shqiptoi gjobë për ata që kapen në flagrancë duke ikur ose në të kthyer. Do të doja që edhe këtij "xhevahiri" tonit t'i jetë bindur së paku një i ri ose një familje e jona dhe ta ketë ndërrue mendjen. Pak e besoj unë këtë. Unë i besoj vetëm punës së mirë dhe vendosjes së drejtësisë e të rendit në këtë vend.

Pa trajtim meritor e të barabartë të Kosovarit nuk do të kthehet entuziazmi dhe besimi në qeveritë e këtij vendi qofshin ato të nivelit lokal apo qendror. Me masa administrative, me gjoba, me llafe koti dhe me prodhim mjegulle është mundue boll me na mbajtë Turqia e Serbia po siç e dini nuk ia doli.

Problemin e tërë si shoqëri e kemi te varfëria e intelektit dhe te ajo politike e pastaj tek më vonë edhe te ajo materiale. Problemin e kemi te zgjedhjet, te mënyra se si votojmë dhe aq më keq se si lejojmë të na manipulohet vota e jonë si kapital i veçantë e i papërsëritshëm që është sepse mund t'a përdorim vetëm një herë në katër vite.

Rruga e vetme për mbarēsi në këtë vend (besuat ose jo tē nderuar) është puna e përkushtuar (jo bojkoti) dhe ndërrimi pa kusht i hipokritëve të cilët së pari ia manipulojnë votën popullit e menjëherë pas këtij mashtrimi të madh që i bëjnë e pranojnë që janë shkaktarët e të gjitha të kqijave në këtë vend.

Hipokrizi e shkuar hipokrizisë është kjo. Të dashur miqtë e mi pushoni e kënaquni sot po nga nesër herët në mëngjes të gjithë të dalim me përkushtim në punë dhe së paku nga një njeri ta edukojmë e vetëdijësojmë çdo ditë për realitetin në të cilin jetojmë dhe mënyrën se si ta ndryshojmë për të mirë e sa më shpejtë ka shkruar Mustafa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat