Ferizaj, VV:Kur shpërndarja e buxhetit në komuna kalon kufijtë normal të solidaritetit, kthehet në diskriminim e shfrytëzim

Kosova

Ferizaj, VV:Kur shpërndarja e buxhetit në komuna kalon kufijtë normal të solidaritetit, kthehet në diskriminim e shfrytëzim

Më: 20 dhjetor 2014 Në ora: 19:19

Gjatë ditës së sotme Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! mbajti një konferencë për media në lidhje me Projektbuxhetin 2015 dhe problemet që shfaqen në të lidhur me mbështetjen për zhvillimin e qëndrueshëm të Komunave. Në këtë konferencë deputeti Faton Topalli paraqiti detaje e shpjegime në lidhje me shpërndarjen e pabarabartë të projekteve kapitale të nivelit qendror në Komuna. Ai solli në vëmendje që të hënën, Kuvendi i Kosovës, do ta shqyrtojë Projektligjin për Buxhetin e Kosovës për vitin 2015. Pjesë e Buxhetit janë edhe mjetet e ndara për komuna në kuptimin e ndarjes së mjeteve për buxhetet komunale. Ndarja e buxheteve komunale në bazë të numrit të banorëve, territorit dhe dimensioneve të tjera është transparente edhe pse jo gjithmonë e drejtë. E padrejtë për shkak që ka Komuna të cilat i japin buxhetit të Kosovës trefish më shumë se sa marrin nga ky buxhet. Ferizaj, bënë pjesë në radhën e këtyre komunave të diskriminuara. Vetëm një ndërmarrje në Ferizaj i paguan tatim buxhetit të Kosovës rreth 60 milionë euro, gati trefish më shumë se sa merr e gjithë Komuna prej buxhetit qendror (rreth 22 milionë uro). Por kjo nuk është kritika kryesore.

Ajo - tha Topalli - që është më pak transparente, është shpërndarja e projekteve kapitale të nivelit qendror nëpër Komuna.

Deputeti Topalli po ashtu vërejti se ka diskriminim evident për disa komuna dhe privilegjim të pajustifikuar për disa komuna të tjera përmes ndarjes së buxhetit. Ky diskriminim, është në të njëjtën kohë shkelje e parimit themelor të barazisë përmes trajtimit të pabarabartë të komunave që ka Kosova. Ai konstatoi se përveç diskriminimit vërehet qartë tendenca e klientelizmit dhe lokalizmit që si rrjedhim e shumëfishojnë përmasën e shkeljes dhe padrejtësitë që e presin Kosovës gjatë këtij mandati.

Ai më pas u ndal tek analiza e projektbuxhetit për vitin 2015 ku vërehet mungesa e plotë e vëmendjes për qytetarët e Ferizajt të cilët janë në mesin e kontributdhënësve të mëdhenj për buxhetin e Kosovës në rang Komune. Topalli shtoi më tej se për 108.000 banorët e Ferizajit Qeveria nga ndarë nga buxheti qendror projekte kapitale vetëm 5,5 milionë euro. Sikundër tha ai ka komuna që kanë përgjysmë më pak banorë për të cilat shuma e projekte kapitale është deri në 100 % më i lartë se mjetet që i janë vënë në dispozicion banorëve të Ferizajt.
Kjo ndarje e projekteve kapitale të nivelit qendror është e padrejtë dhe nuk i shërben barazisë. Komunat më pak të zhvilluara duhet të mbështeten nga Komunat më shumë të zhvilluara, por kjo, shtoi Topalli duhet të ndodhë në një masë që solidaritetin nuk e kthen në diskriminim dhe shfrytëzim.
Ferizaj për vite me radhë është diskriminuar si në ndarjen e buxhetit për Komuna ashtu edhe në ndarjen e projekteve kapitale nga niveli qendror. Këtë trend të diskriminimit e vërteton edhe buxheti i vitit 2015. Ky buxhet që diskriminon shumë komuna karshi komunave të tjera për shkak të klientelizmit dhe një lokalizmi të prapambetur, nuk duhet të miratohet. Për ta ilustruar këtë Topalli mori si shembull krahasimin midis dy njësi vendore të tjera, Komunën e Deçanit me atë të Skenderaj. Të dy këto Komuna janë goditur rëndë nga lufta, janë lënë prapa nga regjimi serb në zhvillimin e tyre ndër vite. Aktualisht Komuna e Skenderajt i ka 50.000 banorë dhe do të marrë për këtë vit nga buxheti i shtetit 11,8 milionë për projekte kapitale, ajo e Deçanit me 40.000 banorë merr vetëm 463.000 euro. Komuna e parë do të ketë në dispozicion 236 euro për kokë banori ndërsa e dyta 11.5 euro.
Duke konkluduar Deputeti Topalli i ftoi dhe deputetët që janë dhe banorë të Ferizajt, ta kundërshtojnë këtë buxhet si dhe deputetët të cilët po ashtu janë nga Komuna të tjera që ta analizojnë buxhetin 2015 edhe nga ky këndvështrim ku dallohet qartë mospërfillja, klientelizmi dhe lokalizmi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat