Ambasadori kroat: Me eksod masiv nuk ka perspektivë liberalizimi i vizave

Kosova

Ambasadori kroat: Me eksod masiv nuk ka perspektivë liberalizimi i vizave

Më: 20 dhjetor 2014 Në ora: 17:46

Kroacia është lobues i Kosovës në çdo organizëm ndërkombëtar. Pranimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar është edhe kontribut i Kroacisë. Kështu tha ambasadori kroat në Prishtinë Zoran Vodopija në ligjëratën e tij "Politika e jashtme kroate" të mbajtur për studentët e AAB-së, në Prishtinë.

Profesori Nexhmedin Spahiu i cili ishte nikoqir i ambasadorit tha se Kroacia, Kosova e Shqipëria janë aleatë të natyrshëm dhe mund të mësojnë nga njëri tjetri, prandaj pikërisht kjo është arsyeja përse politikën e jashtme kroate e kam përzgjedhur si model për kursin e lëndës.

Ambasadori Vodopija tregoi për zanafillën e lëvizjes kombëtare kroate dhe krijimin e kombit kroat, për aleatët e tij të natyrshëm dhe për sfidat e politikës së jashtme kroate. Ai përmendi faktin se nga të gjitha vendet ku Serbia pretendon influencën e saj politike, ekonomike e ushtarake (vendet e ish Jugosllavisë minus Slloveninë plus Shqipërinë), Kroacia është i vetmi komb anëtar i Bashkimit Evropian.

Ndër sfidat e politikës së jashtme kroate ai përmendi edhe ndikimin në rritje e sipër të Turqisë dhe Rusisë. Ambasadori Vodopija tha se Rusia ka ndikim të madh në Serbi për shkak të lidhjeve tradicionale, por nuk është pa ndikim edhe në vendet e tjera të rajonit. Rusia ka blerë gjysmën e Malit të Zi, ka ndikim të fuqishëm në pjesën serbe të Bosnjës dhe në Maqedoni, dhe po mundohet që të jetë prezente edhe në Kroaci në industrinë e naftës dhe në banka.

Ambasadori Vodopija foli edhe për raportet Kroaci-Kosovëduke theksuar natyrshmërinë e raporteve kroato-shqiptare e kroato-kosovare duke shtuar se ka qenë autor i mendimit të ekspertëve që i është ofruar qeverisë kroate për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe lobimin që Kroacia ka bërë për pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe pranimin si vëzhguese në Organizatën e Frankofonisë. Duke folur për lobimin kroat për pranimin në organizmat evropianë, ambasadori Vodopija tha se Kosova duhet të ndjekë rrugën kroate: së pari do të pranohet në Këshillin e Evropës, pastaj në OSBE, më pas në NATO dhe më në fund në Bashkimin Evropian. Por të gjitha këto hapa po i ngadalëson eksodi masiv i qytetarëve të Kosovës, i cili duhet ta shqetësojë më tepër klasën politike dhe mediat e vendit.

Ambasadori Vodopija , ka takuar edhe menaxhmentin e lartë të AAB-së, me të cilët ka biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën akademike, shkencore dhe atë kulturore. Në fund të vizitës, z. Vodopija u shpreh i kënaqur më të arriturat dhe punën që bëhet në këtë institucion të arsimit të lartë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat