Ky është qëllimi i Isa Mistafës për muajin mars

Kosova

Ky është qëllimi i Isa Mistafës për muajin mars

Më: 19 dhjetor 2014 Në ora: 21:07

Prishtina në fund të shkurtit ose në fillim të marsit, siç mëson ditorja serbe Blic, do të aplikojë për pranim në Këshillin e Evropës.

Qëllimi i Qeverisë së Isa Mustafa dhe Hashim Thaçit është që kjo kërkesë të vihet në rendin e ditës të takimit të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare, më 19 maj 2015.

Sipas vlerësimeve fillestare, Kosova ka një shans 51:49 për qind për të qenë anëtare e plotë e kësaj organizate pan-evropiane.

Nga 47 ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare, 34 prej tyre vijnë nga vendet që e kanë njohur Kosovën.

Kështu formalisht përmbushet kushti për pranim, pasi nevojiten dy të tretat e shumicës në Komitetin e Ministrave.

Por, Blic shkruan se në praktikë kjo nuk do të thotë se pranimi do të shkojë lehtë, së pari për shkak të procedurës së ndërlikuar që zgjat me muaj, dhe pastaj për shkak se Serbia do të insistojë tek të drejtat e njeriut, që janë një nga kriteret kryesore për të hyrë në KE.

“Serbia, në çdo rast, ka shumë hapësirë që edhe në Asamblenë Parlamentare të KE-së, por edhe në mesin e ministrave, të tregojë se si situata e të drejtave të njeriut në Kosovë është e keqe, se si serbët dhe jo-shqiptarët atje janë të diskriminuar në punësim, në të drejtat në arsim, kujdes shëndetësor”, thotë Milovan Drecun, kryetar i të ashtuquajturit Komisionit Parlamentar serb për Kosovën.

Drecun megjithatë nuk mohon se Prishtina në muajt e ardhshëm do ta realizojë planin e saj.

Ai beson se deklarata e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, vjen pas vlerësimeve se do të ketë mbështetjen e vendeve anëtare të rëndësishme të BE-së dhe KE-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat