Rusia faktor ngatërrues i sigurisë rajonale të Ballkanit

Kosova

Rusia faktor ngatërrues i sigurisë rajonale të Ballkanit

Nga: M.Lakna Më: 19 dhjetor 2014 Në ora: 12:03

Ka shumë gjasë që Serbia tashmë ka planifikim ushtarak për situata të paparashikuara kundër Kosovës, gjë kjo që mund të supozohet nga politikat e saj armiqësore të sigurisë dhe të mbrojtjes kundër Prishtinës.
Kështu u tha gjatë publikimit të raportit “Kosova në kontekstin e Sigurisë dhe Mbrojtjes të Ballkanit Perëndimorë”, të publikuar nga Organizata KIPRED.

“Çfarëdo mundësie strategjike që Serbia mund ta shfrytëzojë nëse vendos ta sulmojë Kosovën, pos në rastin e ofensivës konvencionale për ‘aneksimin’ e territorit në veri të Ibrit, vështirë që do ta përcaktojë fituesin e luftës, dhe në ndonjë rast të tillë që të dyja palët mund ta pësojnë një cenueshmëri pak a shumë të njëjtë politike të brendshme dhe të jashtme në një konflikt të stërzgjatur”, theksoi Lulzim Peci nga kjo organizatë.

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave KIPRED, publikoi raportin “Kosova në kontekstin e Sigurisë dhe Mbrojtjes të Ballkanit Perëndimorë.

Sipas KIPRED, ndonëse Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë arritur një përparim të madh në reformimin e politikave të tyre të sigurisë dhe të mbrojtjes në pajtim me kërkesat e anëtarësimit në NATO dhe në Programin e Partneritetit për Paqe, janë disa rreziqe kyçe që mund ta destabilizojnë rajonin dhe ta shkaktojnë rishfaqjen e konflikteve të armatosura, përfshirë këtu edhe reagimet konvencionale.

“Në mesin e tyre më kryesoret janë kërcënimet e natyrës politike – nacionaliste/etnike dhe fetare, ato të shtetformimit, si dhe të kufijve të kontestuar/të papërcaktuar. Në thelb, edhe përkundrejt përkushtimit formal të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe për të dhënë kontribut për stabilitetin dhe sigurinë rajonale, brenda tyre ende mbizotëron një nivel i caktuar i dukshëm i ankthit, në saje të një mungese të qartë të besimit lidhur me sjelljet e ardhshme të disa prej shteteve të tjera të rajonit”, tha Lulzim Peci nga kjo organizatë.

Ai theksoi se Serbia dhe Kroacia janë dy vendet mbizotëruese në rajon sa I përket aftësive ushtarake dhe të shpenzimeve e industrive mbrojtëse.

Sipas tij krijimi i mundshëm i Forcave të Armatosura të Kosovës nuk do ta ketë ndonjë ndikim domethënës në ndryshimin e balancit rajonal të fuqisë.
Po ashtu në këtë konferencë u theksua se jë faktor ngatërrues për sigurinë rajonale, dhe, po ashtu, një çështje tejet brengosëse, është bashkëpunimi mbrojtës i Serbisë me Rusinë, që i përfshin tre komponente: Themelimin e Qendrës së Përbashkët Serbo-Ruse për Reagim ndaj Situatave të Emergjencës, që është e para e këtij lloji që Rusia e ka hapur në Evropë pas Luftës së Ftohtë; Manovrat e përbashkëta ushtarake, ku të parat janë të planifikuara të mbahen këtë vjeshtë; dhe Statusi i Serbisë i Vëzhguesit në Asamblenë Parlamentare të Aleancës Ushtarake Ndërqeveritare të udhëhequr nga Rusia – Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive.

“Duke e shfrytëzuar Serbinë si strehë për interesat dhe synimet e veta kundër Perëndimit, Rusia është duke e shtrirë sërish ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor, dhe këtë është duke e bërë përmes shfrytëzimit të marrëdhënieve të trazuara etno-nacionale të rajonit dhe të dobësive të shteteve që nuk janë anëtare të Unionit Evropian dhe të NATO-s, domethënë, të Bosnjes e Hercegovinës, Kosovës dhe të Maqedonisë. Rusia do ta ketë një tokë të plleshme për përmbushjen e synimeve të veta për aq kohë sa do të vazhdojë mbizotërimi i pavendosmërisë së Brukselit dhe mungesa e një udhëheqjeje të fuqishme të SHBA-ve lidhur me zgjerimin e mëtutjeshëm të NATO-s dhe të UE-së”, potencoi Lulzim Peci nga KIPRED.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat