Fushë Kosovë, VV: Komunës nuk i intereson siguria e qytetarëve të saj

Kosova

Fushë Kosovë, VV: Komunës nuk i intereson siguria e qytetarëve të saj

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 21:59

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Fushë Kosovë i shpreh ngushëllime familjes Jashari që humbën fëmijën e tyre nga sulmi i qenve endacak.

Shpërfillja e ankesave të vazhdueshme të qytetarëve, përfaqësuesve të opozitës, por edhe disa asamblesitë të partisë në pushtet, nga institucionet komunale të Fushë Kosovës, për rrezikun që u kanoset qytetarëve çdo ditë nga qentë endacak, fatkeqësisht rezultoi me rastin tragjik të humbjes së jetës së një fëmije.

Komuna në katër vitet e fundit ka shpenzuar mbi 30,000 euro për trajtimin e qenve endacak. Zyrtarët komunalë nuk kanë hezituar të shpenzojnë shuma të mëdha të parave për luks, si mbi 40,000 euro për karburante gjatë këtij viti, e bile edhe për udhëtime turistike në bregdet ku janë shpenzuar me mijëra para, si ky udhëtimi i fundit në muajin nëntor, ndërsa hezitojnë aq shumë të ndajnë fonde për mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve.

Me këto shuma parash dhe para tjera të keqpërdorura, Komuna do të mund të investonte në ndërtimin e një strehimoreje të përhershme publike, e cila do të shërbente për kastrimin, vaksinimin por mbi të gjitha mbajtjen në strehimore të qenve endacak, në mënyrë që të mos përbëjnë problem për sigurinë e qytetarëve.

Kur kemi parasysh organizata të ndryshme të cilat merren me mbrojtjen e të drejtave të kafshëve që ofrojnë ndihma të mëdha në lidhje me kastrimin dhe vaksinimin e tyre, e gjithashtu edhe shembuj të bashkëpunimit të strehimoreve me restorante dhe thertore që prodhojnë mbeturina ushqyese të përdorshme për ushqim të qenve, e zvogëlojnë barrën financiare të Komunës në nivele të përballueshme. Të gjitha këto na sjellin në përfundimin se arsyetimet për mungesë fondesh janë të pabaza.

Kjo tragjedi vë në pah edhe mosndërhyrjen e inspektoratit në pothuajse asnjë shkelje që ndodhë në këtë Komunë. Këtu e kemi fjalën për ndalimin e personave të papërgjegjshëm të cilët hedhin me tonelata mbeturina në vende të palejuara, e në anën tjetër Komuna nuk ndërhyn as në pastrimin e këtyre zonave me muaj të tërë. Këto zona më pas po shndërrohen në “parajsa” të qenve endacak.

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Fushë Kosovë kërkon ndërhyrjen emergjente të organeve komunale për krijimin e një ambienti të sigurt për qytetarët, në të gjitha aspektet.

Gjithashtu ftojmë prokurorinë e shtetit të ndërmarrë hetime për keqpërdorimet dhe shkeljet flagrante të ligjit nga zyrtarët komunal në Fushë Kosovë, thuhet në komunikatën e lëshuar nga VV.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat