Pak muaj pas zgjedhjeve, PDK-së i ikin tre deputetë

Kosova

Pak muaj pas zgjedhjeve, PDK-së i ikin tre deputetë

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 19:44

Zgjedhjet e 8 qershorit e kishin nxjerrë Partinë Demokratike e Kosovës (PDK) si partia e parë në vend, më gjithsej 37 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Numrat të cilat i kishte siguruar partia e Thaçit ishin rezultat i bashkimit të PDK-së në një koalicion të përbashkët ndër të tjera me Partinë e Drejtësisë (PD) dhe Lëvizjen për Bashkim (LB).
Ndonëse harmonia e krijuar në mes partive të koalicionit fitues të zgjedhjeve dukej e një lloji të veçantë, më vonë lindën pakënaqësitë e disa deputetëve.

Gëzim Kelmendi ishte deputeti i parë i koalicionit fitues që dha dorëheqje nga grupi parlamentar PDK-së. Ai fillimisht e kërcënoi të parin e PDK-së, Hashim Thaçin, se nëse nuk e zgjidh problemin e mbajtjes së mbulesës në shkolla, nuk do ta votonte Qeverinë dhe as kryetarin e Kuvendit. Ajo që ndikoi më së shumti në dorëheqjen e tij ishin arrestimet e disa imamëve, për të cilat Kelmendi theksonte se ishin bërë për qëllime politike.

Konstituimi i Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, si dhe emërimet nëpër dikasteret qeveritare, si duket ngjallën përsëri pakënaqësi brenda grupit më të madh parlamentar.

Deputetja Margarita Kadriu, ditën e konstituumit të institucioneve të vendit, dha dorëheqje nga grupi parlamentar i PDK-së, duke kaluar në cilësinë e deputetes së pavarur.

Ajo, përmes rrjetit social Facebook kishte deklaruar se qëllimi i hyrjes në politikë ka qenë bërja e ndryshimeve, mirëpo - sipas saj - përvoja gjashtëmujore e ngërçit politik ia ka dëshmuar “të kundërtën”, ndaj ka vendosur që pozitën e deputetes ta ushtroj si e pavarur.

Shaip Muja u bë pjesë e legjislaturës së pestë të Kuvendit të Kosovës, për shkak të shkuarjes së një numri deputetësh të PDK-së nëpër dikasteret qeveritare. Mirëpo, kjo nuk e bëri Mujën që t’i mbes besnikë miqve të vjetër të partisë. Ai të enjten ka sqaruar se tash e tutje nuk do të jetë pjesë e grupit parlamentar të PDK-së, duke e ushtruar kështu detyrën e tij si deputet i pavarur. Arsyeja e daljes nga grupi parlamentar është se nuk pajtohet as me politikat zhvillimore e sa kadrovike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat