Nga Ferizaj kanë migruar 404 nxënës

Kosova

Nga Ferizaj kanë migruar 404 nxënës

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 17:23

Sipas të dhënave që posedon Drejtoria e Arsimit, vërehet se janë qindra nxënës që bashkë me familjet e tyre kanë marrë rrugën e kërkimit të një jete më të mirë.

Askush deri më tani me saktësi nuk di se sa është numri i personave dhe familjeve që kanë migruar së fundi nga Ferizaj në shtete të ndryshme evropiane, por konsiderohet të jetë numër relativisht i madh. Ajo çka dihet me saktësi deri më tani, është numri i nxënësve që nëpër klasa kanë lënë bangat e shkollave të zbrazura.

Sipas të dhënave që posedon Drejtoria e Arsimit, vërehet se janë qindra nxënës që bashkë me familjet e tyre kanë marrë rrugën e kërkimit të një jete më të mirë.
"Sipas të dhënave që kemi marrë ne nga drejtorë të shkollave të të gjitha cikleve, janë 404 nxënës që nuk vijojnë mësimin në periudhën e fundit, pra në dy-tre javët e fundit. Bëhet fjalë për një numër të madh nxënësish që mendohet se kanë migruar jashtë Kosovës", ka thënë drejtori i DKA-s, Muhamet Halili.

Zyrtarë nga DKA-ja kanë thënë se që prej fillimit të viti të ri shkollor janë ballafaquar me këtë dukuri, pasi që në fillim të shtatorit është shënuar një valë e migrimeve të nxënësve nga komuniteti ashkali dhe egjiptas, rreth 160 nxënës, ndërsa më vonë në valën tjetër këtë numër e kanë rritur migrimet edhe të komunitetit shumicë. I pari i Drejtorisë së Arsimit të Ferizajt këtë e ka vlerësuar të jetë shqetësuese si dukuri që ka marrë përmasa të mëdha të shtirjes në Komunën e Ferizajt, ndërsa kanë folur edhe për probleme të natyrave tjera që mund t'u sjellin këta nxënës në procesin arsimor.

"Problemet që na shkaktohen neve lidhen me mos notimin e tyre në këtë periudhë. Kjo nuk vlen për ata që janë notuar në këtë semestër dhe që kanë nota. Ata që mbesin të panotuar mund ta humbin vitin", ka thënë drejtori Halili.

Për më tepër është bërë me dije se më shumë ka fëmijë që kanë emigruar nga cikli fillor i shkollimit, nga parashkollorë deri në klasën e nëntë, por ka edhe nxënës nga shkolla të mesme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat