Shqiptarët e Luginës së Preshevës pjesë e kombit shqiptarë

Kosova

Shqiptarët e Luginës së Preshevës pjesë e kombit shqiptarë

Më: 17 dhjetor 2014 Në ora: 21:21

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, përkatësisht tri komunat shqiptare të kësaj lugine, janë komunat më të varfra të Serbisë ku të ardhurat e tyre, janë më të ulëta se 50% të mesatares nacionale.

Ndërsa numri i papunësisë është rreth 40% të mesatares nacionale, kurse të ardhurat e shqiptarëve janë 3.5% më të ulëta se mesatarja nacionale e Serbisë.

Këto të dhëna janë prezantuar edhe sot në një Tribunë të organizuar nga Unioni i studentëve të Luginës së Preshevës me temë “Bashkëpunimi reciprok në mes Luginës së Preshevës dhe Kosovës”.

Glauk Konjufca, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, tha se Lugina e Preshevës nuk është situatë as e qejfit e as e vullnetit, por e copëtimit dhe pushtimit.

Ai pohoi se Lugina e Preshevës është pjesë e pashkëputshme e kombit shqiptarë dhe se institucionet duhet të bëjnë edhe më shumë veprime në realizimin e praktikave të ndryshme.

“Lugina e Preshevës është pjesë e pashkëputshme e kombit shqiptarë e nuk mund të trajtohet si një territor i shtetit tjetër por si hapësirë shqiptare për të cilën politika ka përgjegjësi dhe obligime të caktuara. Teza e dytë është që Lugina e Preshevës është një hapësirë shqiptare autoktone dhe vazhdimësi e natyrshme me aleatin shqiptarë , shqiptarët nuk janë të ardhur, shqiptarët janë vendas ,m shqiptarët nuk janë subjekt kolonizues, por janë objekt i kolonizuar ………….Diskursi politik i zyrtarëve nga Prishtina dhe nga Tirana vazhdimisht është në formën gjuhësore do të, do ta ngrisim problemin e qytetarëve të Luginës së Preshevës , do tu mbrojmë interesat tuaja, do t’ju bëjmë pjesë të negociatave të Brukselit. Luginat kanë mbetur ne trajtën gjuhësore do të. Kjo tregon se çka është bërë konkretisht për këtë hapësirë shqiptare. Për Luginën e Preshevës duhet politikë dhe veprime konkrete dhe realizime praktike dhe jo retorikë mashtruese siç ka ndodhur fatkeqësisht deri më sot”, është shprehur Konjufca.

Kurse, Nehat Emrullahu, kryetar i Shoqatës së Inxhinierëve të Makinerisë në Kosovë, u shpreh se diskriminimi më i madh i shqiptarëve bëhet në Komunën e Medvegjës pasi që kjo komunë udhëhiqet nga serbët, madje sipas tij në Kosovë arsimi është i degraduar, aferat janë të mëdha e marrja e diplomave është krejt formale.

Emrullahu, pohoi se për shkak të korrupsionit në Kosovë nuk mund të ketë zhvillim ekonomik.

“Mohohet lëvizja e lirë e njeriut bile nga shumë politikanë e shumë analistë e gjejnë atë se duhet kthy , deri sa në anën tjetër kërkojmë që të ketë qytetari lëvizjen e lirë të njeriut . Në Kosovë funskionimi i ligjit është nën çdo nivel, gjykata , prokuroria , institucionet tjera edhe ndërkombëtarisht njihen si më të korruptuarat. Kjo ka tejkaluar gjithë kufijtë e mundshëm, prandaj edhe nuk mund të ketë zhvillim ekonomik. Pikërisht për këtë nuk kemi edhe investitorë të jashtëm, nuk munden me ardhë investitorët e jashtëm me investu mjete këtu me një vend ku ka pasiguri , ku nuk ka qëndrueshmëri politike e aq më tepër edhe bizneset vendore nuk janë të përkrahura bile bile kisha me thënë se janë në shuarje e sipër”, ka pohuar Emrullahu.

Ndërsa, Arbër Pajaziti, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Bujanofcit, pohoi se me Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë kanë bashkëpunim të mirë, mirëpo një bashkëpunim në fushën e politikave sipas tij ende mbetet peng i marrëdhënieve.

“Një bashkëpunim i mirëfilltë dhe efikas edhe më tej mbetet peng e marrëdhënieve të pazgjidhura në relacionin Kosovë –Serbi. Deri sa kemi një situatë të tillë atëherë është shumë e vështirë të kemi bashkëpunim të ndërsjellë. Për ne në Luginë do të duhej një aplikim i një modeli i ngjashëm i relacioneve bashkëpunuese me Prishtinën sikurse ai që ndjekin komunat me shumicë serbe në Kosovë, posaçërisht ato në veri të Kosovës, deri sa kjo të mos ndodh ne jemi të shtrënguar të gjejmë forma dhe alternative të një bashkëpunimi i cili mund të sjellë rezultate”, ka thënë ai.

Ai tha se kohëve të fundit kanë edhe një bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, ku mjekëve të Luginës u janë krijuar kushte për specializim në sfera të ndryshme.

E, Gani Jashari, profesor i fizikës në Universitetin e Prishtinës, u shpreh se Kosova duhet të hap një zyre të saj që të merret me problemet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke shtuar se në këto troje ndodh shkelja më e madhe e ligjit.

Jashari tha se nuk ka asnjë arsye që shqiptarët e Luginës së Preshevës të kenë më pak të drejta se serbët e Kosovës, dhe se teket mes politikanëve duhet të lihen anash.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat