VV: Pushteti i Bajram Mulakut jep bursa vetëm

Kosova

VV: Pushteti i Bajram Mulakut jep bursa vetëm

Nga: Diana Bunjaku Më: 17 dhjetor 2014 Në ora: 17:56

Qendra e Lëvizjes VV, në Vushtrri me shqetësim ka ndjekur procesin e ndarjes së bursave për studentë nga ana e Komunës së Vushtrrisë, që nga shpallja e konkursit e deri tek publikimi i listës së përfituesve ku janë evidentuar shkelje flagrante gjatë këtij procesi. Praktika e manipulimeve me ndarjen e bursave ka vazhduar edhe këtë vit duke lënë padrejtësisht jashtë listës së përfituesve studentë meritor dhe duke futur brenda listave familjarë të zyrtarëve komunal dhe persona të lidhur me pushtetin. Përmes përfaqësuesve tanë komunal shumë, qytetarë studentë dhe familjarë të tyre kanë shprehur pakënaqësinë për këtë proces dhe kanë kërkuar ndihmën tonë në adresimin e shqetësimeve të tyre.

Shkeljet gjetura tregojnë se komisioni vlerësues qëllimisht ka shmangur dhe ka keqinterpretuar rregulloren për ndarjen e bursave për studentë duke ua mundësuar kështu personave të caktuar të jenë përfitues në kundërshtim me rregulloren dhe me qëllimin që ajo ka. Nga Dokumentet e siguruara dhe të analizuara nga Nënkomiteti për Arsim i Qendrës sonë janë identifikuar këto shkelje:

Komisioni në kundërshtim me rregulloren komunale për ndarjen e bursave për studentë dhe shpërblimeve për nxënës, ua ka mundësuar një numri të caktuar të studentëve që ta përfitojnë bursën me automatizëm, duke shkelur kështu kriteret e përcaktuara me konkurs dhe rregullore e cila në nenin 11.6 thotë se "Studenti që vazhdon me plotësimin e kritereve sipas kësaj rregullore, i vazhdohet bursa edhe për vitet vijuese’’. Në këtë rast komisioni ka vepruar në kundërshtim me nenin 6 për bursat për studentët me notë më të lartë mesatare duke ua dhënë bursat aplikuesve përfitues nga viti i kaluar me automatizëm edhe pse nota e tyre mesatare është me e ulët se sa e shumë studentëve të tjerë nga kjo kategori të cilët janë lënë jashtë listës së përfituesve.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me drejtimet deficitare në të cilat ka raste kur studentët me nota mesatare 6 deri 7 janë futur në listë në emër të automatizmit, deri sa janë lënë jashtë studentë të dalluar me nota mbi 8.5.

Për më tepër kjo është bërë qëllimisht në mënyrë që të kamuflohen përfituesit që janë të afërt me zyrtarë të caktuar brenda komunës për të cilat ekzistojnë fakte të mjaftueshme. Komisioni gjithashtu ka vepruar në mënyrë subjektive dhe jashtë kritereve edhe në rastet e kategorive të tjera duke ua pamundësuar studentëve me nota të mira të mos përfshihen në listën e përfituesve të bursave edhe pse i kanë plotësuar kriteret e parapara me konkurs.
Me veprimet e tij, komisioni ka shkelur rëndë kriteret dhe rregulloren, përfshirë këtu të drejtën e trajtimit të barabartë në konkurset publike dhe ndarjen e parasë publike.

Në bazë të një komunikatë VV, i bën thirrje Kryetarit Bajram Mulaku që ta anulojë në tërësi konkursin. Komuna të marrë masa urgjente administrative ndaj zyrtarëve dhe Drejtorisë në fjalë.
Ne gjithashtu kërkojmë që urgjentisht të rishikohet edhe rregullorja për ndarjen e bursave dhe i tërë procesi të rikthehet tek Kuvendi Komunal si organi më i lartë dhe i duhur për të vendosur për çështje që janë në interes publik.

Lëvizja VV, Qendra në Vushtrri, shkeljet e gjetura do t'i adresojë tek institucionet qendrore dhe para organeve të drejtësisë derisa inkurajon studentët dhe qytetarët që të vazhdojnë të mos heshtin ndaj keqpërdorimeve dhe padrejtësive që pushteti lokal po bën duke trajtuar qytetarët si pronë të tyre kurse pasurinë dhe paranë publike si plaçkë që e ndajnë në mes vete, thuhet në komunikatën e VV-së dega në Vushtrri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat