Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ka pritur sot në takim Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Tracey Ann Jacobson, uroi Ministrin Kuçi, për mandatin e ri si Ministër i Drejtësisë.
Ministri Kuçi, falënderoi Ambasadoren Jacobson për urimet dhe për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-të dhe Ambasada e SHBA-ve i ka dhënë sistemit të Drejtësisë në Kosovë.
Kuçi e njoftoi Ambasadoren se gjatë këtij mandati të ri do të angazhohet në funksionalizimin e plotë të gjyqësorit dhe ngritjen e efikasitetit dhe profesionalitetit, me qëllim të kthimit të besimit të qytetarëve tek sistemi i Drejtësisë në Kosovë.
“Do të vazhdojmë përkushtimin tonë për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare, si në aspektin e proceseve të Integrimit Evropian dhe në konsolidimin e mëtutjeshëm të sistemit të drejtësisë në Kosovë, përfshirë këtu edhe integrimin e serbëve të veriut në një sistem unik gjyqësorë të Kosovës”, ka thënë Kuçi.
Kuçi theksoi se, deri tani fokus i Ministrisë së Drejtësisë ka qenë krijimi i infrastrukturës ligjore, me fokus kryesorë në çështjet penale, ndërsa tani e tutje fokus kryesorë do të jetë ngritja e efikasitetit të punës, shpejtësisë së procedimit të rasteve nëpër gjykata dhe rritja e llogaridhënies së sistemit gjyqësorë ndaj qytetarëve të Kosovës. Kuçi shtoi se gjatë këtij mandati, prioritet për Ministrinë e Drejtësisë do të jenë çështjet civile dhe pronësore, duke përfshirë këtu edhe draftimin e Kodit Civil dhe legjislacionit të fushën e të drejtave pronësore.
Ambasadorja Jacobson, ritheksoi mbështetjen e Ambasadës dhe SHBA-vë për sistemin e Drejtësisë në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e zbatimit të legjislacionit që tani më është në fuqi, dhe ngritjes së efikasitetit dhe llogaridhënies së gjyqësorit.
Kuçi gjithashtu, shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin me ambasadën Amerikane dhe programet tjera të SHBA-vë në Kosovë, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit dhe garantimit të kushteve më të mira ligjore për qytetarët e Kosovës.