Kabineti qeveritar pa staf të kompletuar

Kosova

Kabineti qeveritar pa staf të kompletuar

Më: 17 dhjetor 2014 Në ora: 09:01

Kabineti qeveritar, duke filluar nga Kryeministri dhe ministrat, akoma nuk e kanë përzgjedhur stafin e ngushtë të tyre, me të cilët do të punojnë në mandatin katër vjeçar.

Sipas njohësve të çështjeve politike në vend, është i paarsyeshëm moskompletimi i stafit të kabinetit qeveritar.
Analisti politik Mazllim Bajraliu thotë për Tribuna, se koalicioni qeverisës PDK-LDK ka pasur kohë të mjaftueshme që të mendoj për stafin e secilit ministër.
Por, sipas tij, një prej faktorëve të kësaj vonese, mund të jetë sepse këto dy parti kanë pasur vështirësi në përzgjedhjen e ministrave për resore të caktuara.
“Kanë pasur kohë të mjaftueshme për të bërë planifikime dhe ajo është dashur të bëhet në mënyrë urgjente që të prezantohen të gjitha strukturat dhe të fillohet me punë urgjente në mënyrë të plotë dhe efektive që nga dita kur është votuar qeveria, sepse është humbur tepër kohë gjatë këtyre gjashtë muajve”.
“PDK dhe LDK kanë pasur vështirësi në përzgjedhjen e njerëzve për t’u dhënë resore të caktuar, dhe këto të gjitha kanë ndikuar që mos të kemi një sistemim të plotë të këtyre strukturave dhe fillim të menjëhershëm të punës që nga dita e parë e konstituimit të kësaj qeverie”.
Ndërkaq, analisti Artan Muhaxhiri thotë se në Kosovë, kur vjen puna tek kompletimi i stafi, në radhë të parë shikohet të plotësohen kërkesat e individëve brenda strukturave të partive përkatëse.
“Këtu te ne është krijuar përshtypja se liderët apo ministrt duhet t’i plotësojnë kërkesat e shumë individëve brenda strukturave partiake gjatë emërimit të stafit. Për fat të keq shpesh këtu elementi i kompetencës profesionale nuk është fare i rëndësishëm, por plotësimi i kërkesave partiake nga të gjitha nivelet”, ka thënë Muhaxhiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat