Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 28 nëntor 1997, kishte entuziazmuar gjithë popullin shqiptarë të Kosovës. Madje, dalja publike e ushtrisë që populli i Kosovës e kishte pritur gjatë, kishte entuziazmuar edhe veprimtarin e çështjes kombëtare, simbolin e rezistencës Adem Demaçi, i cili vlerëson se kjo ngjarje madhështoi edhe më shumë 28 nëntorin, festën me të madhe të popullit shqiptarë, shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
Me nostalgji të madhe simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi tregon se si nuk kishte mundur t’i rezistonte entuziazmit dhe gëzimit, kur kishte parë tre pjesëtarët e UÇK-së që kishin dal për herë të parë publikisht në Llaushë të Skënderajt me 28 nëntor, në varrimin e mësuesit Halit Geci, i cili ishte vrarë nga forcat serbe.
Njeriu që kaloi 28 vjet në burgjet serbe për çështjen kombëtare, në një intervistë për KosovaPress, rrëfen ditën e daljes publike të UÇK-së në skenë, ndërrimi i rrjedhës së ngjarjeve pas kësaj ngjarje, emërimi i tij përfaqësues politik i UÇK-së, e deri në ditët e sotme.
“Ne e kemi pritur me një gëzim që është forcuar deri në atë shkallë sa që tash po legalizohet dhe po mbyllet goja e atyre që merreshin me një propagandë të zezë, që mundoheshin të mohonin ekzistencën e UÇK-së, që mundoheshin para botës të thonë se janë do banditë, do hajna se s’ka ushtri as asgjë, kështu që kjo ishte një kapitull i ri i legalizimit dhe daljes në dritë dhe në logun e asaj që luhej që lufta ishte për çlirim dhe përpjekjet e Serbisë që ishin për ta shtypur kryengritjen tonë”, thotë Demaçi.
Simboli i rezistencës kombëtare, rrëfen me tutje se i gjithë populli kur e pa ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ngjalli entuziazëm të jashtëzakonshëm, çka bëri të mobilizohet populli shqiptarë në UÇK.
Por, Demaçi thotë se kishte edhe të tillë që nuk e shihnin realitetin mirë dhe nuk e vlerësonin se populli ynë mund të luftoj ndaj popullit serb.
“Ajo ishte një ngjarje që ngjalli tek ne entuziazëm dhe lufta, rezistenca e qëndresa pa entuziazëm nuk shkojnë. Kështu që çdo vepër që e bënin UÇK-ja në fshatra të ndryshme, dolën heronj të mëdhenj, doli Zahiri që likuidonte spiun në Llap, doli veproi në tërë hapësirën shqiptare me Edmondin e të tjerët, edhe në Dukagjin e gjetiu, kështu që krejt këto ishin në funksion të ngjalljes së besimit e vetëbesimit se mund të luftohet me Serbinë. Ishte një palë tjetër që nuk e shihte realitetin mirë, nuk e vlerësonte realitetin sa duhet, nuk kishte besim se populli ynë mund të luftonte kundër popullit serb, këtu ishte ai dallimi ynë mes atyre që ishin për luftën dhe atyre që nuk ishin për luftën. Jo që ata nuk e donin lirinë e pavarësinë, sepse e donin edhe ata, por disi e dëshironin ta kishin lirinë në pjatë, kurse liria nuk vjen në pjatë asnjëherë, duhet derdhur gjak, dhe vlerësonin se edhe derdhja e gjakut ishte e kotë”, shton me tutje Demaçi.
Sipas tij, dalja e UÇK-së në skenë, e ndërroi tërë rrjedhën e ngjarjeve, duke qenë se tani bota e kuptoi se dalja publike e UÇK-së, tregon kalimin e politikës nga mjetet paqësore në luftë me Serbinë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Duke qenë se dalja publike e UÇK-së, u bë në ditën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kjo ngjarje sipas Demaçit, e madhështoi edhe me shumë festën me të rëndësishme të shqiptarëve.
“Kjo e madhështoi shumë edhe kjo bëri jehonë të madhe dhe pas këtyre ngjarjeve filluan të rritën radhët e UÇK-së. Filloj edhe bota që të interesohet për UÇK-në, kështu që kjo pati ndikime të shumëfishta në shumë drejtime, por ndikimi më i madh ishte ne shpirtërat e shqiptarëve, zemrat e shqiptarëve të cilat rrihnin për kombin, u ngjall një shpresë e madhe, u ngjall një besim i madh dhe filluan shumë prej djelmoshave tanë, studentë, nxënës e punëtorë, i lanë punët e tyre dhe iu bashkuan UÇK-së”, thotë me tutje ai.
Simboli i rezistencës kombëtare, rrëfen edhe për figurën e komandantit legjendar Adem Jashari, për të cilin thotë se është një hero i pazakontë.
“Adem Jashari është një hero i pazakonshëm, një hero i ditëve tona, vetëm populli heroik shqiptarë i cili asnjëherë nuk u dorëzua, i cili gjithmonë gjatë historisë së vet bëri lufta të pabarabarta, ne gjithmonë ishim inferior me armiqtë tanë, me Romën, me Sllavët e me otomanët, por asnjëherë nuk e ndalëm luftën tonë për tu pavarësuar”, tha Demaçi.
Demaçi tregon edhe kohën kur menjëherë pas daljes publike të UÇK-së, kishte shkuar dhe ishte takuar drejtuesit e UÇK-së, si Hashim Thaçin e Sabit Gecin, ku u kishte ofruar përkrahjen e tij. Madje, Demaçi thotë se edhe kur kishte ardhur në krye të Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, kishte ardhur me qëllim që ne të bëhen propaganduesi i kërkesave të shqiptarëve.
“Unë kam shkuar vet në UÇK, kam pasur rastin ta takoj Sabit Gecin, pastaj kam pasur rastin të takohem me Hashim Thaçin dhe kam bujtur atje gjithë natën dhe të nesërmen pastaj jam kthyer prapë në Prishtinë. Kjo ishte diku në Malishevë sepse atje ishte njëfarë berthame pak më e madhe e cila vepronte dhe kam shkuar vet atje, jam lajmëruar dhe kam shprehur gatishmërinë që me ato forcat e mia që kam, me atë këshillim tim që kam, çka jemi ne duke përgatitur, jemi duke përgatitur këto gjëra t’i hapim letrat dhe folshim hapur”, tregon Demaçi.
Më vonë, Demaçi me 12 gushtë të vitit 1998 ishte emëruar përfaqësues politik i UÇK-së, pas një takimi që kishte pasur me udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, si Kadri Veselin, Xhavit Halitin, e udhëheqës tjerë.
Por, ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së, shton se pas 17 viteve të daljes në skenë të UÇK-së, disa persona mund t’i vret ndërgjegjja, duke qenë se u gjetën anash nga lufta, sepse e kanë vlerësuar gabimisht atë. Derisa thotë se ende nuk janë arritur objektivat për të cilat luftuan dhe ranë shumë dëshmorë.
“Jo, asnjë luftë nuk mund t’i arrij të gjitha objektivat, asnjë luftë nuk mund t’i plotësoj ëndrrat e atyre që marrin pjesë dhe shkojnë për të vdekur dhe për ta çliruar kombin. Do të thotë nuk i kemi kompletuar ende ato synimet për të cilat kanë vdekur heronjtë tanë, dëshmorët tanë, martirët tanë e tjerë. Mirëpo, jemi në rrugë pa kthim t’i realizojmë dalëngadalë në bashkëpunim me Evropën, në bashkëpunim me Amerikën mike, në bashkëpunim me botën liridashëse e demokratike. Ne dalëngadalë po vijmë duke e kompletuar shtetin tonë i cili ende është i pakompletuar, jemi shtet dhe s’kemi ushtri”, thotë më tutje ajo.
Demaçi shton se bashkësia ndërkombëtare tashmë e ka kuptuar Serbinë e cila edhe pse ka bërë gjenocid ndaj popullit shqiptarë po vazhdon ta pengoj Kosovën në arenën ndërkombëtare, ndonëse Kosova është njohur nga 108 shtete.