Agani: Shekulli 21 do jetë periudha e përmbushjes së aspiratave të kombit shqiptar

Kosova

Agani: Shekulli 21 do jetë periudha e përmbushjes së aspiratave të kombit shqiptar

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 22:48

Kryetari i Partisë së Drejtësisë, që njëherësh është edhe ministër i shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, i ka uruar të gjithë shqiptarët kudo që janë me rastin e Festës së Flamurit dhe 102-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Në vazhdim mund ta lexoni urimin e plotë të liderit të PD-së, Ferid Aganit, drejtuar mbarë popullit shqiptar:
Urime të përzemërta me rastin e përvjetorit të dytë në shekullin e dytë të pavarësisë së shtetit shqiptar. Është ky momenti kur me mall dhe dashuri, me respekt dhe nderim të thellë kujtojmë të gjithë ata patriotë, burra dhe gra, që në kohëra të turbullta të historisë kontribuan në themelimin e Shtetit Shqiptar, dhe që më pastaj gjatë një shekulli të tërë vazhduan të luftojnë dhe të përpiqen për shtetësin e Kosovës dhe statusin shtetëror të çdo Shqiptari që jeton në truallin e tij etnik, duke lënë në momentin e ndarjes nga kjo botë amanetin e përjetshëm për bashkimin kombëtar.
Sot shteti shqiptar është shtet modern me demokraci të zhvilluar, pjestarë i familjes së shteteve të bashkuara në Aleancën Veri-Atlantike dhe në prag të anëtarësimit në Bashkësinë Evropiane; me perspektivë të qartë të zhvillimit të hovshëm demokratik dhe ekonomik.
Me shpalljen e Kosovës shtet sovran dhe të pavarur u krijuan parakushtet për përmirësimin e padrejtësisë historike që ju bë kombit shqiptar në fillim të shekullit të kaluar. Shekulli 21 do jetë periudha e përmbushjes së plotë të aspiratave të kombit shqiptar dhe amanetit të të parëve tanë të lavdishëm për realizimin e Bashkimit Kombëtar, që në rrethanat e kohës do e realizojmë në kuadër të procesit të bashkimit të kombeve dhe shteteve në familjen e madhe të Bashkësisë Evropiane.
Partia e Drejtësisë, ashtu si edhe deri më tani, ka qenë dhe do të jetë në ballë të këtyre përpjekjeve të ndershme kombëtare dhe shtetërore, e gatshme që gjithmonë në emër të Zotit të Madhërishëm të sakrifikohet për interesat më madhore të Kombit dhe Shtetit.
Urime përvjetori i 102 i Shtetit Shqiptarë; Për shumë mote me shëndet dhe gëzime.
Me respekt, kryetari i PD-së, Ferid Agani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat