Austria e gatshme për ta mbështetur Kosovën në të gjitha fushat

Kosova

Austria e gatshme për ta mbështetur Kosovën në të gjitha fushat

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 15:39

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Austrisë, zotëri Karheinz Kopf, i cili po qëndron në Kosovë me një grup të afaristëve nga Austria, që kanë shfaqur interesimin e tyre për investime në vendin tonë.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi përkrahjen dhe ndihmën që Austria i ka dhënë Kosovës dhe theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën ekonomike dhe posaçërisht të investimeve. Ajo tha se Kosova po punon në krijimin e një klime të mirë të biznesit për të tërhequr investitorë nga jashtë.

Presidentja Jahjaga shprehu besimin e saj se me ndërtimin e shpejtë të institucioneve të vendit, bashkëpunimi ndërparlamentar do të vazhdojë përmes shkëmbimit të përvojave. Ajo tha se ndihma e Austrisë në procesin e integrimeve evropiane për Kosovën është shumë e rëndësishme.

Nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Austrisë, zotëri Karheinz Kopf u interesua për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe posaçërisht për kapacitetet dhe mundësitë që ofron Kosova për investime dhe shprehu gatishmërinë e Austrisë për ta mbështetur Kosovën në të gjitha fushat./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat