Rreth dy të tretat e zyrtarëve partiakë janë të majtë ose konservatorë

Kosova

Rreth dy të tretat e zyrtarëve partiakë janë të majtë ose konservatorë

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 19:21

Nuk është për tu befasuar që partitë e formuara gjatë përpjekjeve për çlirim kombëtar nuk kanë ndonjë ideologji të definuar qartë. Fatkeqësisht, periudha pasi Kosova u vu nën administrim ndërkombëtar dhe pamundësia për të qeverisur veten, nuk i ka shtyrë elitat politike që të krijojnë qëndrime të qarta për çështjet më të rëndësishme politike, thuhet në punimin “Busulla ideologjike e Kosovës - Hartë e orientimit të partive politike”, të punuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D).
Gjatë prezantimit të këtij punimi u diskutua për një pasqyrim tё qartë tё partive politike, ku qytetarët duhet tё dinë kё po e votojnё.

Të pranishëm me opinionet e tyre për këtë punim ishin Ardian Arifaj (PDK), Teuta Sahatqija (LDK), Visar Ymeri (LVV), Burim Ramadani (AAK) dhe profesori i shkencave politike, Arben Hajrullahu.

Në përmbledhje thuhet se identifikimi i ideologjive të partive është shumë i vështirë në një shoqëri të porsadalë nga lufta e cila ende është duke bërë përpjekje për të plotësuar nevojat bazike dhe për të konsoliduar sovranitetin e saj.

Studimi ka hulumtuar qëndrimet e profileve kryesore ideologjike në kontekstin e disa prej demokracive perëndimore. Është përpiluar një pyetësor i përshtatur për ketë qëllim, i cili është përdorur për të intervistuar 160 zyrtarë të lartë të katër partive kryesore. Secilës përgjigje i është caktuar një vlerësim numerik dhe rezultatet pastaj janë paraqitur në mënyre grafike.

Deri tani, në ato pak raste kur partitë kanë shfaqur tipare ideologjike, ato nuk kanë qenë asgjë më shumë se sa emërtime. Aspiratat e tyre gjithnjë e më shumë pasqyrojnë preferencat për t’iu bashkuar ndonjë grupi të partive panevropiane, e pak kanë të bëjnë me bindjet e anëtarëve të tyre. Për të shmangur kurthin e klasifikimit të një partie në një kuadrant të vetëm ideologjik, është zgjedhur të identifikohet shpërndarja e cila ilustron krahasimin ndërmjet dhe brenda partive.

Studimi tregon se rreth dy të tretat e zyrtarëve të partive janë të majtë ose konservatorë. Në të vërtetë, pothuajse nuk ekziston asnjë konservativ sa i përket vlerave dhe i djathtë sa i përket parimeve ekonomike. Shumica e një të tretës së mbetur, të cilët janë më të hapur sa i përket vlerave të tyre personale, po ashtu besojnë në ekonominë e tregut të lirë.

Përshkrimi më i lartë vlen për PDK, LDK dhe AAK, përderisa Vetëvendosje është e majtë sa i përket ekonomisë, konservative në çështjen e identitetit, dhe liberale për liritë personale. Kjo tregon qartë se politikat konkrete publike nuk janë përcaktuese për orientimin e partisë dhe se partitë përbrenda janë po aq të larmishme sa janë edhe kur krahasohen me të tjerat.

Gjetjet e paraqitura në ketë raport ndihmojnë që të kuptohet më mirë shkalla e afërsisë së opinioneve dhe mund të inkurajojnë partitë të miratojnë qëndrime politike dhe të ndikojnë drejt një rirreshtimi potencial. Ky dokument po ashtu tregon se transformimi i duhur nuk është i vogël.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat