Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të luftës së UÇK-së, Xhavit Jashari, tha se fëmijët e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së janë më të privilegjuar sesa fëmijët e tjerë në Kosovë, prandaj kur është çështja te regjistrimi i tyre në Universitetin e Prishtinës, nuk duhet barazuar me të tjerët.
Sipas tij, ky privilegj u takon atyre në bazë të ligjeve në Kosovë, të cilat janë miratuar por ende nuk po zbatohen.
“Nuk janë të barabartë. Nuk është e njëjtë sikurse një fëmijë ta përjetojë luftës, sikur një djalë që ka thënë ‘babi ma hiq nga televizori se s’mund të shoh pamje të tilla kah luftojnë njerëzit dhe kah vriten njerëzit”, tha Jashari në intervistën për kallxo.com.
Privilegje të tilla ai thotë se i ka edhe Kroacia, e jo vetëm Kosova.
“Ligji kroat thotë se të gjitha të drejtat që parashihen për këto kategori – për kategoritë e luftës, e kanë ma mirë se na, bile me automatizëm. Jo me iu dhanë fakultetin, por iu krijohet mundësia”, shtoi më tej Jashari.
Për ta mbrojtur memorandumin e bashkëpunimit, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, që përfshin Shoqatën e Veteranëve, atë të Invalidëve dhe Shoqatën e Dëshmorëve të UÇK-së, kanë paralajmëruar protestë masive të enjten para Rektoratit prej orës 12:00.
Xhavit Jashari, tha se kanë bërë thirrje për protestë të qetë. Por ai nuk garanton se ato do të jenë asisoj deri në fund. Sipas tij, qetësia e protestave varet nga rektori se a do ta zbatojë vendimin e Ministrisë së Arsimit, me të cilin i është kërkuar rektorit pranimin e të gjithë emrave e fëmijëve nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, e të cilët i janë nënshtruar paraprakisht provimit pranues.
“Ne kemi thënë se do të organizojmë një protestë të qetë dhe t’i shërbejë si vërejtje e fundit rektorit për zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit. Në qoftë se nuk e zbaton, për protestat herën tjetër nuk garantojmë”, tha Jashari.
Ai i është përgjigjur edhe dyshimeve se në listat e këtyre kategorive ka emra që nuk u takojnë atyre.
“Në listat tona absolutisht nuk ka pasur. Kjo është shumë e pavërtetë, sepse, unë dua të them publikisht se çdo listë që e kemi dërguar në Rektorat, është publikuar. Në qoftë se ka futur dikush gjatë rrugës në Rektorat që unë nuk e di, është diçka tjetër”, deklaroi kreu i ShFD-së së UÇK-së, Xhavit Jashari.
I pyetur për deklarimin e zëvendësministrit të Arsimit, Nehat Mustafa, se në listat e këtyre kategorive ka fëmijë që nuk i takojnë atyre, ai tha se zëvendësministri Mustafa u ka kërkuar falje atyre, sepse ia kanë vërtetuar se është fëmijë i dëshmorit.
“Zëvendësministri ka kërkuar falje, sepse ne të nesërmen ia kemi argumentuar se ai është djalë i dëshmorit”, tha ai.
Për më tepër, ministri i MAShT-it, Ramë Buja, me një vendim drejtuar rektorit të UP-së, Ramadan Zejnullahut, kërkon nga ky i fundit që t’i pranojë të gjithë fëmijët që janë në listat e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, të cilët paraprakisht i janë nënshtruar provimit pranues.
Rektori Zejnullahu, duke e konsideruar se po i ndërhyhet në punën menaxheriale të tij në UP, ende nuk ka marrë vendim nëse do ta zbatojë apo jo vendimin e MAShT-it.
Në këtë drejtim, ai më 18 nëntor e mblodhi Këshillin Drejtues të UP-së për t’i njoftuar rreth qëndrimit të tij, e njëkohësisht për të marrë edhe sugjerimet e tyre se si të veprohet në këtë situatë.
Ai pati deklaruar më herët se do të japë dorëheqje nëse vendimi i MAShT-it hyn në zbatim. Megjithatë, ai thotë se vazhdon t’i qëndrojë besnik premtimit. Por ka kërkuar kohë që të marrë vendim nëse do ta zbatojë apo jo vendimin e MAShT-it.
E koha shtesë e rektorit nuk po i shkon për shtati shoqatave të dala nga lufta. Ato kanë paralajmëruar protesta të enjten para Rektoratit prej orës 12:00, në mbështetje të memorandumit të bashkëpunimit.