Jahjaga: Viktimat duhen mbrojtur

Kosova

Jahjaga: Viktimat duhen mbrojtur

Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 16:08

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka bërë një deklaratë me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave.

Në deklaratë thuhet:
"Sot shënojmë ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave, një ditë që i dedikohet avokimit për të respektuar të drejtat e barabarta të grave si të drejta të njeriut dhe për t’i dhënë fund dhunës së ushtruar ndaj tyre.
Shpeshherë dhuna ndaj gruas është konsideruar si një çështje private e familjes, por shkelja e të drejtave të njeriut është çështje e të gjithë shoqërisë. Andaj është obligim i institucioneve të vendit dhe i tërë shoqërisë të ndërmarrim masat e nevojshme për të parandaluar këtë fenomen.
Sot shoqëritë në mbarë botën fillojnë 16 ditët e aktivizmit të fushatës botërore të ndërgjegjësimit kundër dhunës gjinore, pasi ky fenomen prek të gjitha shoqëritë pa dallim. E shënojmë këtë ditë edhe në Kosovë me qëllim që të ndërgjegjësojmë qytetarët tanë se dhuna në familje dhe dhuna ndaj gruas është e patolerueshme dhe e papranueshme. Kjo nuk është vetëm shkelje e të drejtave të tyre, por nënçmim ndaj familjes dhe nënçmim i shoqërisë sonë.
Jeta e secilit qytetar të këtij vendi ka vlerë prandaj është obligim yni ta mbrojmë atë. Viktimat duhet mbrojtur dhe abuzuesit duhet të dalin para drejtësisë.
Ne jemi duke ndërtuar një shtet demokratik andaj barazia gjinore duhet të jetë vlerë e jona, ku roli i gruas është i garantuar në çdo fushë të jetës dhe ku të drejtat e secilit qytetar janë të garantuara pa dallim gjinie apo moshe.
Shpreh mbështetjen time të pakursyer në këto 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës gjinore, duke i thënë NDAL dhunës ndaj gruas dhe duke i bërë thirrje të gjithë shoqërisë që përpjekjet për t’i dhënë fund dhunës ndaj gruas t’i bëjnë pjesë të çdo dite të tyre.
Po shënojmë sot këtë Ditë, duke kujtuar se shoqëritë do të bëhen të barabarta, të përparuara dhe të drejta, kur barazia gjinore nuk do të jetë më temë dhe kur vlera e gruas në shoqëri do të njihet dhe do të respektohet".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat