Qeveria e re duhet të ketë emra të rinj

Kosova

Qeveria e re duhet të ketë emra të rinj

Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 10:58

Njohësit e rrethanave politike kanë vlerësuar se PDK-ja dhe LDK-ja në kabinetin e ri qeveritar duhet të përfshijnë edhe emra të rinj që janë të aftë të ballafaqohen me sfidat që kërkohen në vend.
Artan Muhaxheri dhe Fisnik Korenica kanë deklaruar për “Epokën e re” se emërimi i figurave të reja me karrierë të pastër politike në poste ministrore do të ishin të mirëseardhura edhe për imazhin e Kosovës. Sipas tyre, sfida kryesore e ekzekutivit të ardhshëm duhet të jetë sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik. “Sa i përket përbërjes së qeverisë, gjithçka do të varet nga z. Thaçi dhe z. Mustafa, sepse këtyre dy liderëve u konvenon të shkohet me figura të vjetra, pasi kjo është me komode për ta. Mirëpo mendoj se ata do ta kenë presionin edhe prej bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht prej SHBA-së, që t’i përfshijnë figurat të reja në kabinetin qeveritar, të cilat kanë më shumë energji dhe vullnet për të punuar. Po ashtu, këto figura të reja nuk kanë bagazh negativ, pra nuk kanë ndonjë aferë korruptive apo ndonjë njollë të zezë në CV-it e tyre. Kështu që, për shkak të partnerëve ndërkombëtarë, Thaçi dhe Mustafa do të jenë të obliguar të përfshijnë edhe emra të rinj në kabinet”, ka thënë Muhaxheri.

Ai ka deklaruar se kabineti i ri menjëherë duhet të fokusohet në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekomomik të vendit. “Sfidat kryesore të kabinetit të ri qeveritar janë: sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik. Këto besoj janë dy boshtet të shtetit të Kosovës, të cilat aktualisht janë në nivel shumë të pakënaqshëm. Pra, ka shumë punë, hapësirë për përmirësime të shpejta në sistemin e drejtësisë, por edhe në atë ekonomik. Sistemi i drejtësisë është baza me të cilin janë të ndërlidhura të gjitha sferat e tjera. Pa zhvillim ekonomik Kosova do të mbetet një vend i varfër dhe do të ketë problem me krimin e organizuar dhe me mungesë të perspektivës për një jetë këtu”, është shprehur Muhaxheri.

Ndërsa analisti tjetër politik, Fisnik Korenica, ka bërë me dije se përfshirja e figurave të reja në kabinetin qeveritar është në të mirë të agjendës evropiane të Kosovës. Mirëpo, sipas tij, këto figura duhet të jenë emra që iu kanë nënshtruar votës së qytetarëve. “Në të mirën e agjendës evropiane të Kosovës është që qeveria e re të ketë figura të reja politike nga të dy partitë që kanë formuar koalicionin e ri qeverisës. Megjithatë, këto figura politike duhet të kenë pasur një lidhje me votën e qytetarëve, sepse nuk është praktikë e mirë që qeveria të ketë në vetvete ministra që nuk kanë marrë fare pjesë në garën zgjedhore”, ka thënë Korenica, duke shtuar se në këtë mënyrë do të mund të ndryshohet edhe imazhi i shtetit në arenën ndërkombëtare. “Një gjë e tillë besoj se është e mundur dhe duhet të jetë përpjekje e të dy partive që kanë bërë koalicionin. Në mënyrë që Kosova të mund ta ndryshojë edhe imazhin e saj, por ta ndryshojë edhe rrugën e reformave që do të ndjekë në katër vjetët e ardhshëm, që shumë nga to janë reforma qenësore për integrimin evropian. Do të ishte mirë të ketë figura të reja me profile të pastra dhe të afta për ta nxjerrë vendin prej momentumit negativ në të cilën aktualisht gjendemi”, ka deklaruar ai.

Për sfidat që qeveria e re duhet të ballafaqohet, Korenica ka deklaruar se fillimisht ekzekutivi duhet të merret me çështjen e sundimit të ligjit, e cila, sipas tij, lidhet me reformat që i kërkon BE, siç janë: lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Çështja e dytë është ajo e një agjende të qartë zhvillimore, ku Kosova më nuk mbetet vend që ka sinjale negative sa i takon zhvillimit, por hyn në një agjendë të qartë të zhvillimit dhe hapjes së tregut të saj ndaj regjionit dhe botës. Së treti, qeveria e re duhet të merret me çështjen e imazhit, pra fuqizimin e shtetësisë së Kosovës, që kryesisht arrihet edhe nëpërmjet anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, por edhe nëpërmjet diplomacisë publike që kërkon një prani më të shtuar të Kosovës në qendrat botërore të vendimmarrjes”, ka thënë Korenica.

Grupet punuese të PDK-së dhe LDK-së, të cilat kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje, prej javës së kaluar janë duke punuar për ndarjen e posteve ministrore dhe harmonizimin e programit qeverisës. Pritet që deri në fund të kësaj jave të qartësohet gjithçka sa iu përket posteve dhe të dihen emrat e ministrave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat