​Bukoshi: PDK-LDK ishte alternativa e vetme

Kosova

​Bukoshi: PDK-LDK ishte alternativa e vetme

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 19:50

Bujar Bukoshi beson se aktualisht nuk ka pasur alternativë tjetër pos koalicionit PDK-LDK, pasi pesë muaj vendi ishte përfshirë nga një krizë e thellë politike.
Njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bukoshi, duke folur për Politiko.net, ka komentuar koalicionin dhe ka pohuar se gjithçka që është në të mirë të vendit, është e dobishme.

“Gjithçka që është në interes të vendit, të Kosovës, është i dobishëm, natyrisht”.

Bukoshi mendon se koalicioni i arritur mes dy partive më të mëdha, PDK-LDK, ka ardhur si zgjidhja e vetme pas zhvillimeve të fundit.

“Ka një bazë më të gjerë. Vjen si rezultat i zhvillimeve të fundit, të cilat që të gjithë i kemi përcjellë. Dhe, kjo është zgjidhja e vetme alternative”.

PDK dhe LDK, si dy partitë më potencën më të madhe politike në Kosovë, arritën marrëveshje në parim me datën 19 të këtij muaji që të formojnë institucionet e reja. Kështu, Isa Mustafa i dha fund koalicionit paszgjedhor me tri partitë tjera në Kosovë, AAK’në, Nismën dhe Vetëvendosjen.

Lidhja me PDK’në nuk u prit mirë nga disa deputet të LDK’së dhe po ashtu analistë të ndryshëm e cilësuan si hap të gabuar politik koalicionin e arritur, duke besuar se do të ndikojë negativisht në elektoratin e LDK’së.

Por, Bukoshi thotë për Politiko.net se është e vështirë të prognozohet se si do të ndikojë ky koalicion në elektoratin e LDK’së.

“Do ta shohim më pas. Gjithçka do të varet edhe nga vetë aktiviteti i LDK’së se si do ta menaxhojë këtë koalicion”.

“Gjithsesi është mjaftë e vështirë ta parashoh qysh tash se si do të ndikojë. E kam të vështirë të jap prognoza të tilla”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat