Shtyhet seanca e policëve të dyshuar për marrje ryshfeti

Kosova

Shtyhet seanca e policëve të dyshuar për marrje ryshfeti

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 19:02

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ishte paraparë për sot seanca ndaj ish-policëve Hidajet Krasniqi dhe Veton Gashi që akuzohen për marrje ryshfeti. Seanca nuk u mbajt ngase disa nga gjyqtarët që përbëjnë trupin gjykues ishin të zënë në procese tjera gjyqësore.
Njoftimin për mosmbajtje të seancës nga mungesa e gjyqtarëve e bëri të ditur për palët gjyqtarja e rastit Hajrie Shala.

Ajo tha se kolegët e saj nga trupi gjykues ishin të zënë në gjykime tjera, në panelet e përziera me gjyqtarë të EULEX-it.

Hidajet Krasniqi dhe Veton Gashi akuzohen nga prokuroria për marrje të ryshfetit.

“Më datën 18 qershor 2012 në fshatin Sllatinë komuna e Fushë-Kosovës, policët e komunikacionit që ishin në patrullë, Hidajet Krasniqi dhe Veton Gashi, në emër të ryshfetit i kanë kërkuar të dëmtuarit F. H 300 euro që të mos i shqiptonin gjobën në komunikacion, pas një gabimi të të dëmtuarit”, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza më tutje precizon shumën e parave që policët i morën të dëmtuarit.

“Policët i kanë marrë nga i dëmtuari vetëm 100 euro. Me këtë veprim kanë kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit”, vijon aktakuza.

Kjo aktakuzë u ngrit pas një video-xhirimi të Gazetës Jeta në Kosovë ku dy policët e trafikut zbulohen duke marrë mitë nga qytetari.

Të pandehurit në seancat e mëhershme deklaruan se ndihen të pafajshëm për akuzën që u ngarkohet.

Seanca e radhës lidhur me ketë rast do te mbahet me 8 dhjetor 2014./kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat