Isufi: Mustafa e prishi bllokun

Kosova

Isufi: Mustafa e prishi bllokun

Më: 23 nëntor 2014 Në ora: 21:15

Vazhdojnë edhe më tej akuzat e partnerëve të ish-koalicionit LAN në adresë të LDK-së dhe kreut të saj, Isa Mustafa, për prishjen e koalicionit që ishte rreshtuar kundër PDK-së.

Nënkryetari i AAK-së Ahmet Isufi, thotë se kreu i LDK-së më shumë sesa tradhtoi partnerët e tij, ai e tradhtoi elektoratin e kësaj partie të cilin e manipuloi për pesë muaj radhazi. Arritja e marrëveshjes mes PDK-së dhe LDK-së nuk po harrohet lehtë nga ish-partnerët e LDK-së në koalicionin paszgjedhor LAN. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, thotë se kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka mundur që këtë veprim ta bëjë në fillim e jo të presë 5 muaj.

"Lakmia personale për poste e ka bërë të vetën dhe konsideroj se në start është dashur të thotë se nuk heq dorë nga pozita e kryeministrit, pastaj për ta imponuar edhe në fund. Po ai e bëri të njëjtin veprim që e ka bërë edhe në partinë e vet në kohën kur është rrëzuar nga kreu i partisë, z.Sejdiu, i ka nxitë strukturat, pastaj e ka bërë edhe veprimin. E njëjta ka ndodhur edhe me koalicionin. I nxiti një herë strukturat në terren se gjoja nuk është qëndrim i tij dhe erdhi deri te këshilli drejtues, të cilin e thirri për ta bërë veprimin më të palogjikshëm të mundshëm", ka theksuar Isufi.

Ai thotë se si partner të koalicionit nuk ndihen të tradhtuar nga veprimi i LDK-së, pasi që indikacionet e para për atë që ndodhi ishin shfaqur më herët.

"Befasia ka qenë se kur është bërë nënshkrimi për marrëveshje nuk janë pyetur strukturat dhe është konsideruar se është një vullnet i tyre edhe i partive të tjera politike, pyetja e strukturave tek 5 muaj pas tregon se cili ka qenë qëllimi i koalicionit të ri që e ka bërë me PDK. Konsideroj se ndihet i tradhtuar elektorati i LDK-së, i cili po reagon dhe i cili më së shumti do të pësojë në këtë periudhë, ku ende nuk janë definuar elementet dhe ashtu sikurse është një kurorëzim jo i zakonshëm ka me përfundu me një kurorëzim të zakonshëm", ka shtuar Isufi.

Pas pesë muaj bashkëpunimi me LVV-në, AAK-në dhe NPK, Lidhja Demokratike e Kosovës më 19 nëntor vendosi që të lidhë koalicion me PDK-në për qeverisjen e vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat