Takohen Thaçi e Mustafa, merren vesh për ndarjen e posteve

Kosova

Takohen Thaçi e Mustafa, merren vesh për ndarjen e posteve

Më: 23 nëntor 2014 Në ora: 20:06

Kreu i PDK'së, Hashim Thaçi dhe ai i LDK'së, Isa Mustafa, janë takuar në mbrëmje për të diskutuar hapat e mëtutjeshëm për marrëveshjen e koalicionit qeverisës mes dy partive.
Thaçi dhe Mustafa, në një deklaratë të përbashkët, kanë sqaruar se ne këtë takim është folur për marrëveshjen për qeverisjen e dy partive në koalicion si dhe saktësimin e datës së mbajtjes së Seancës së Kuvendit.

Deklarata e plotë:

Deklaratë e përbashkët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës

Kryetari i PDK-së z. Hashim Thaçi dhe kryetari i LDK-së z. Isa Mustafa u takuan sonte për të përcaktuar veprimet konkrete për themelimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Në këtë takim, të dy kryetarët e partive respektive, si partnerë të koalicionit, shprehën zotimin e tyre për të punuar në mënyrë intensive për t'iu dhënë qytetarëve të Kosovës institucione kredibile, të afta për të çuar përpara agjendën e zhvillimit ekonomik, sundimin e rendit dhe ligjit, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe procesin e integrimeve euro-atlantike.

Gjatë ditëve në vijim, Grupet punese të PDK-së dhe LDK-së do të takohen intensivisht për përmbylljen e marrëveshjes politike dhe harmonizimin e programit të ardhshëm qeverisës.

Finalizimi i marrëveshjes për koalicionin qeverisës ndërmjet PDK-së dhe LDK-së do të bëhet gjatë ditëve në vijim. Gjithashtu, brenda javës do të saktësohet edhe data e vazhdimit të seancës për zgjedhjen organeve udhëheqëse të Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat