Shpërdorimi i parasë publike në Drenas

Kosova

Shpërdorimi i parasë publike në Drenas

Më: 23 nëntor 2014 Në ora: 12:18

Lëvizja VETËVENDOSJE! në Drenas ka monitoruar pasqyrat financiare të Komunës së Drenasit për pjesën e parë të këtij viti dhe ka vërejtur se zyrtarët komunal kanë vijuar të bëjnë shpenzime enorme në kategorinë e mallrave dhe shërbimeve publike. Raporti i Drejtorisë së Financave tregon se vetëm për periudhën janar-qershor janë shpenzuar 8.660 euro për telefoni mobile, 10.144 euro për dreka zyrtare dhe 25.668 euro për karburant të veturave. Këto shpenzime faktojnë se ka pasur shpërdorim të parasë publike më qëllim të përfitimeve personale.

Në raportin e Drejtorisë së Financave po ashtu thuhet se janë shpenzuar edhe 192.603 euro për shërbime kontraktuese, 33.262 euro për furnizime për zyrë dhe 20.525 euro për vendime të gjykatave. Mungesa e informacioneve të hollësishme për shpenzimin e këtyre mjeteve të mëdha financiare, veçse e forcojnë edhe më shumë dyshimin tonë për keqpërdorime nga ana e zyrtarëve komunal.

Nëse do të kishte reduktim të shpenzime të paarsyeshme dhe të panevojshme deri në masën që nuk rrezikohet efikasiteti i punës së administratës, atëherë me siguri që do kishim përmirësim të theksuar të shërbimeve publike dhe mirëqenies sociale. Dimri që po afrohet do t’i gjej shumë familje me mungesën e ushqimit të domosdoshëm, veshmbathjeve dhe lëndëve djegëse. Ne konsiderojmë që luksi i zyrtarëve komunal të pasur me paratë e qytetarëve të varfër, vjen në shprehje kur mungon vullneti dhe morali politik.
23 nëntor 2014
Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Drenas

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat