Kosovës i duhet menjëherë ushtria

Kosova

Kosovës i duhet menjëherë ushtria

Më: 23 nëntor 2014 Në ora: 10:53

Ekspertët e sigurisë dhe zyrtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës vlerësojnë se tani është koha që Kosova ta ketë forcën e saj të armatosur. Me krijimin e institucioneve të reja pritet që të miratohet edhe ligji për Forcën e Armatosur të Kosovës (FAK).
Sipas ekspertit të sigurisë, Naim Maloku, Kosova nuk është imune nga rreziqeve, qofshin ato të krimit të organizuar në vend, apo dhe terrorizmit ndërkombëtar.

“Kosova nuk është imune nga rreziku që i kanoset, nga të gjitha format e krimit të organizuar edhe nga terrorizmi ndërkombëtarë. Edhe vendi ynë është i rrezikuar dhe duhet me pas kujdes në ngritjen më dinamike të kapaciteteve të sigurisë për të mundur me iu bë ballë sfidave”, thotë Maloku.

“Është momenti që FSK të shndërrohet në FAK. Përndryshe ngritja e ushtrisë kishte me qenë proces afatgjatë, sepse duhet së paku 10 vjet që Kosova prej pikës së momentit kur e ndërron emrin dhe i ndërron objektivat e kësaj ushtrie, t’i qes përpara objektivat e armatës”, ka thënë Maloku për Tribuna.

Zëdhënësi i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ibrahim Shala thotë se pret që në njërën prej seancave të para të Kuvendit të ri të Kosovës, të miratohet ligji për FAK.

Ai thotë se FAK do të ketë mision të ri por dhe armatim të ri.

“Të gjitha kriteret e parashtruara sipas standardeve për krijimin e një ushtrie FSK i ka plotësuar. Ne presim që kjo të ndodhë në një nga seancat e para të punës në Kuvend”.

“FSK e ka armatimin sipas misionit aktual që ka, kjo do të thotë se është forcë e armatosur lehtë. Kurse në momentin kur FSK të transformohet në FAK, do të ketë mision të ri dhe armatim tjetër nga ai që posedon tani FSK”, ka thënë Shala. /Tribuna/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat