QKUK me CT të prishur!

Kosova

QKUK me CT të prishur!

Më: 22 nëntor 2014 Në ora: 22:02

CT-ja shumë shtresore e cila shërben për fotografimin e thellë radiologjik të pacientëve, ka një vit e gjysmë që është prishur.

Edhe CT-ja tjetër e cila gjendet në repartin e radiologjisë, është e prishur.

Ekipi i radiologëve i SHSKUK-së është duke punuar vetëm me dy CT të vjetra e që nuk janë të besueshme.

"Me këtë problem ballafaqohemi vetëm ne. Vetëm ne e dimë se qysh ja dalim, në të vërtet e di që vetëm punojnë se si nuk e di as vet se qysh ja bëjmë. Kemi probleme sidomos me këtë aparatin i cili është këtu në Emergjencë, që i takon vitit 1995 ku shpesh edhe gabojmë, jo për fajin tonë për fajin e teknikës së vjetër", ka theksuar Sadik Kelmendi, radiolog.

Edhe aparati për rrezatim apo radioterapi, i cili gjendet në institutin e Onkologjisë, ka dy muaj që nuk po funksionon. Këtë rrezatim, i cili është i domosdoshëm për pacientët e prekur nga kanceri, Ministria e Shëndetësisë e ka mundësuar përmes marrëveshjeve publiko-private me institucionet private dhe jashtë vendit, për të cilën duhet të paguajnë edhe vetë pacientët.

"Numri i pacientëve të cilët kanë nevojë që të rrezatohen brenda ditës është 40 deri në 60, një numër i tyre kanë shkuar për trajtim jashtë vendit apo edhe në klinikat private, mirëpo në momentin që rregullohet aparati ne do t'i thërrasim dhe shumë shpejt do ta zbusim listën e pritjes sepse do të punojmë me orare të zgjatura", ka thënë Behxhet Osmani - drejtor i Onkologjisë.

Tenderi për servisim të CT-ve është shpallur tri herë dhe është anuluar prapë, mirëpo zyrtarët e zyrës së prokurimit të SHSKUK-së thonë se kontratat për servisim të aparaturave tanimë janë nënshkruar.

"Ne e kemi përfunduar procedurat e tenderimit për servisim të aparaturave të radiologjisë, kontratat i kemi nënshkruar dhe kemi shtypur edhe urdhër blerjen për furnizim me tuba dhe presim që të na i sjellin. Nga data e shtypjes së urdhër blerjes operatori ka afat 45 ditë për furnizim", është shprehur Gazmend Rushiti – shef i sektorit të prokurimit.

Rushiti thotë se edhe për aparaturën e rrezatimit është lidhur kontrata dhe nga e hëna pritet që të vijë ekipi për servisim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat